Dekret i ri për ngrohjen qendrore: Subvencionohen faturat e qytetarëve, Te-To do të punojë deri në ora 1 pas mesnatës që të sigurojë energji – do ta blejë EMV-ja

TË FUNDIT

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka sqaruar se me Dekretin e ri për ngrohjen qendrore, përveç se parashihet shpallje e gjendjes së krizës në tregun e ngrohjes qendrore, gjithashtu parashihen detyrime shtesë për kompaninë Te-To dhe Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV).

Në dekret, parashihet gjithashtu që të subvencionohen faturat e qytetarëve për ngrohjen qendrore dhe se Te-To do të punojë tre orë shtesë që të sigurojë prodhimin e energjisë elektrike të nevojshme, energji të cilën do ta blejë EMV-ja.

“Nëpërmjet Dekretit parashihet që të subvencionohen faturat e qytetarëve për ngrohjen qendrore dhe se Qeveria nëpërmjet EMV-së të stabilizojë tregun e energjisë së ngrohjes. Shoqëria Aksionare EMV, sot, ka nënshkruar marrëveshjen për sigurim të energjisë elektrike me Te-To deri në 31.01.2022. Për realizimin e kësaj Marrëveshje, Te-To do të sigurojë sasi shtesë të energjisë së ngrohjes, paralelisht me energjinë elektrike, me çka do të mundësohet furnizim i vazhdueshëm, ekonomik dhe cilësor gjatë kësaj periudhe. Te-To ka burim të sigurt të gazit dhe mund të punojë pa pengesa. Gjatë kësaj periudhe ka marrëveshje aktive për shitjen e energjisë elektrike dhe do të punojë në mënyrë shtesë edhe gjatë fundjavës, ndërkaq energjinë e prodhuar do ta blejë EMV-ja. Te-To në vend se deri në ora 22 do të punojë deri në ora 1 pas mesnatës dhe me këtë do të sigurohet energjia e ngrohjes e nevojshme për qytetin e Shkupit dhe komunat. Deri në fund të sezonit të ngrohjes, parashihet që tërë energjia elektrike e prodhuar nga Te-To ta marrë EMV-ja me çka do të ketë energji të mjaftueshme”, tha Bekteshi, transmeton TV21.

Bekteshi gjithashtu njoftoi se EMV-ja ka nënshkruar marrëveshje edhe me BEG, ndërmarrjen publike për furnizim me ngrohjen qendrore në pjesën teknike – operative, pasi BEG është ankuar se nuk ka kapacitet për të mbuluar kërkesat për ngrohjen qendrore.

Ngashëm do të ndodh edhe me Ngrohtoren Shkup – Veri. Derisa do të vlejnë marrëveshjet mes EMV-së dhe dy ShA-të për ngrohjen qendrore, të gjitha detyrimet dhe obligimet do t’i kalojnë EMV-së.

Për këtë EMV-ja do të duhet të raportojë në vazhdimësi në Qeveri./TV21

MARKETING I PAGUAR POLITIK