Në pamundësi për të zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me gjyqësorin, sigurimet shoqërore e përmbaruesit, shumë qytetarë i drejtohen zyrës së Avokatit të Popullit për të kërkuar ndihmë. Nga janari deri në gusht të këtij viti, në nivel shtetëror zyra e Avokatit të Popullit ka pranuar 1760 parashtresa.
“Më së tepërmi janë ankuar qytetarët për mbrojtje dhe siguri sociale, sigurimi pensional dhe invalidor, marrëdhëniet e punës, jurispodencë, gjyqësori dhe përmbaruesit, pastaj kemi prokurorinë, marrëdhëniet pronësoro-juridike, urbanizëm dhe ndërtim, çështje banimi, mjedisi jetësor, financat, sidomos Ministrinë e Ekonomisë dhe Drejtoria e të Hyrave Publike si dhe Ministrinë e Financave, të drejtat e konsumatorëve, autorizime policore, gjendja civile dhe avokati si mik i gjykatës”, tha Ylber Rugati, zv/Avokat i Popullit.
Edhe vitin e kaluar ka qenë i lartë numri i ankesave për sigurimin pensional dhe invalidor. Zv/avokati i Popullit, Ylber Rufati, thotë se kjo vjen si pasojë e Ndërmarrjeve Publike që janë në falimentim ose kanë falimentuar.
“Ndaj Ndërmarrjeve Publike të cilat janë në falimentim ose kanë falimentuar, mirëpo nuk e kanë shlyer borxhin pensional dhe shëndetësor ndaj të punësuarve, në mënyrë më të hollësishme ne para një muaji bëmë edhe një propozim të ndryshimit të ligjit dhe shpresoj se qeveria në mbledhjen e ardhshme do ta marr në shqyrtim”, shton më tej Rufati.
Nga 1760 parashtresa e dorëzuara në periudhën janar-gusht 2021, zyra e Avokatit të Popullit ka ndërmarrë veprime për 1097 ankesa. 1417 ankesa janë drejtuar për mosveprim të organeve shtetërore, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe organizatave me autoritet publik.
