Zëvendëskryeministri serb dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, ka reaguar në lidhje me vendosjen e ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën. Në një deklaratë të dhënë për televizionin RTS, Vuçeviç deklaroi se qëllimet e veprimeve të ushtrisë janë për të mbrojtur popullin serb në Kosovë. Megjithatë ai nuk përmendi se ushtria serbe e ka të ndaluar t’i afrohet kufirit të Kosovës.
“Ne po ndërmarrim disa aktivitete në lidhje me mbrojtjen e vendit tonë. Ne punojmë çdo ditë për ta bërë ushtrinë tonë më të fortë, sepse ky është garantuesi më i fortë i sigurisë për vendin tonë dhe pengesa më e fortë për të gjithë ata që “nuk kanë qëllime të mira”. Nëse nuk do të kishim një ushtri si kjo që kemi sot, më besoni, Prishtina dhe ata që e mbrojnë dhe e mbështesin do të kishin bërë veprime shumë më të vështira dhe më të këqija ndaj nesh, vendit tonë dhe “popullit tonë” në Kosovë”, ka thënë Vuçeviç për RTS, por nuk ka përmendur se ajo ushtri e ka të ndaluar t’i afrohet kufirit të Kosovës.
Ai tha se “Serbia pas një kohe të gjatë ka arritur ta kthejë çështjen e Kosovës në OKB, gjegjësisht në Këshillin e Sigurimit”.
