Sindikata e pavarur e Qendrës Klinike të Shkupit “Nënë Tereza” ka arritur marrëveshje për rritjen e pagës neto për 2000 denarë, si dhe që të paguhet stazhi edhe shtesat për punëtorët shëndetësorë. Kjo është arsyeja se përse u anulua protesta e paralajmëruar për sot. Nënkryetari i Sindikatës, Predrag Serafimovski, i cili ka qenë në takim me Ministrin e Shëndetësisë, thotë se marrëveshja do të nisë të zbatohet me pagën e muajit shkurt.
“Ne kërkuam rritje lineare megjithatë tani oferta është 2000 denarë neto, me stazhin e kaluar, me ndërrimin e natës dhe shtesat e tjera, kështu rritja do të jetë më e madhe. Këtu përfshihen ndihmësmjekët, ky grup ka qenë më i prekur ngaqë me rritjen e pagës minimale, më së shumti kanë pësuar infermieret me shkollë të mesme, ndihmësmjekët dhe laborantët, këto grupe pra, ngaqë pothuajse i njëjtësuan me pastruesit.”- deklaroi Predrag Serafimovski, nënkryetari i Sindikatës së Qendrës Klinike.
Nuk na morën seriozisht deri sa nuk e paralajmëruam protestën, tregon doktor Serafimovski për TV21. Rritje e pagës u premtuan që nga marsi i këtij viti, por shton se premtimi nuk u përmbush nga ministri i shëndetësisë, Bekim Sali. Për t’u siguruar për premtimin e tanishëm, nënkryetari i sindikatës thotë se kanë nënshkruar aneks marrëveshje.
“Që të jemi të sigurt kërkuam që të nënshkruhet aneks, ky aneks duhet që të nënshkruhet deri në fund të javës, duhet të na thërras ministri, që ta sigurojmë rritjen nga muaji shkurt. Kështu jemi marrë vesh me garanci nga ana e zëvendësministrit, ministrit dhe kryeministrit.”- deklaroi Predrag Serafimovski, nënkryetari i Sindikatës së Qendrës Klinike.
Është arritur marrëveshje që administrata shëndetësore të mbetet pjesë e sistemit shëndetësor dhe të mos kalojë në administratën publike. Kjo do t’i mbrojë nga transferimi nga një qytet në një tjetër dhe shkurtimi i pagave, thotë Serafimovski. Gjithashtu, është pranuar oferta për të mos ndryshuar kontratën kolektive individuale të mjekëve për paga dhe shtesa në detyrë. Sa para do t’i kushtojë buxhetit kjo rritje dhe a është paraparë në propozim-buxhetin për vitin 2023 , e pyetëm në Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk morëm përgjigje.
