Në Qeveri po punohet për të gjetur zgjidhje për çështjen e provimit të jurisprudencës edhe në shqip, por kjo është e gjitha që dihet! Po kush dhe çfarë po bën – nuk dihet! Për këtë u pyet edhe kryeministri Hsritijan Mickoski, i cili nuk dha asnjë detaj, madje as se nga kush përbëhet Komisioni që po punon për të gjetur zgjidhje.
“Punohet, kur të kemi më tepër për opinionin, do të japim informacione. Kur të vijmë te zgjidhja, do të njoftojmë edhe emrat, edhe kuptohet edhe zgjidhjen”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kur iu përmend se është formuar komision për këtë çështje, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, rikujtoi se zgjidhjet mund të bien në Gjykatën Kushtetuese.
“Le të ulen komisionet, por ekziston një kushtetutë, ekziston një marrëveshje kornizë dhe ka rregulla ndërkombëtare. Dhe ju thashë në fillim, ekziston mundësia për të refuzuar zbatimin e një ligji nëse gjyqtari ose organi ka një dyshim themelor se ai nuk është brenda kornizës së kushtetutës. Kjo duhet të trajtohet si një çështje paraprake dhe Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, presidente.
Siç theksoi, shqetësim të veçantë paraqet mundësia e formimit të komisioneve të ndara për dhënien e provimit të jurisprudencës mbi bazë gjuhësore.
“Nuk mund të ketë një komision për kandidatët maqedonas dhe një tjetër për kandidatët shqiptarë. Kjo është e pamundur dhe përvojat krahasuese tregojnë se mund të çojë në rreziqe”, tha Gordana Siljanovska Davkova, presidente.
Mevlan Ademi nga iniciativa studentore reagoi ndaj deklaratave të presidentes, duke shkruar se e drejta nuk mund të kufizohet në një gjuhë të vetme dhe si shembull dha disa shtete ku provimi i jurisprudencës zhvillohet në dy gjuhë.
“Një juriste me përvojë duhet ta di shumë mirë se e drejta nuk mund të kufizohet në një gjuhë të vetme. Praktika ndërkombëtare e dëshmon qartë: Në Finlandë, provimi i jurisprudencës zhvillohet në dy gjuhë: finlandisht dhe suedisht. Në Zvicër, kandidati zgjedh vetë gjuhën në të cilën testohet. Në Belgjikë, sistemi funksionon me procedura të ndara sipas gjuhës: flamane ose frënge”, tha Mevlan Ademi, student.
Në një reagim, edhe ish-ministri i Drejtësisë Krenar Lloga vlerësoi se nuk ka nevojë për formimin e dy komisioneve, duke theksuar se kjo çështje është tejkaluar që në vitin 2024, kur u formua një komision i ri në përputhje me ligjin, me përfaqësim të balancuar të anëtarëve maqedonas dhe shqiptarë.
