Papa Leoni ka kritikuar liderët që shpenzojnë miliarda dollarë për luftëra dhe ka deklaruar se bota po “shkatërrohet nga një grusht tiranësh”.
Gjatë një vizite në Kamerun, Ati i Shenjtë dënoi ata që, sipas tij, kanë manipuluar “vetë emrin e Zotit” për përfitime personale.
Deklaratat e tij vijnë vetëm disa ditë pas një përplasjeje të fortë me presidentin amerikan Donald Trump, i cili kishte publikuar një sulm të gjatë ndaj Papës, pas kritikave të këtij të fundit lidhur me operacionin ushtarak SHBA-Izrael në Iran.
Papa kishte shprehur shqetësim për kërcënimin e Trump-it se “një qytetërim i tërë do të zhduket” nëse Irani nuk pranon kërkesat e SHBA-ve për t’i dhënë fund luftës dhe për të hapur Ngushticën e Hormuzit.
Leoni, i cili vitin e kaluar u bë Papa i parë me origjinë amerikane, më herët ka kritikuar gjithashtu qasjen e administratës Trump ndaj emigracionit.
“Leoni duhet të merret me detyrën e tij si Papë,” kishte shkruar Trump në një postim në Truth Social.
Papa u tha gazetarëve në fillim të turneut të tij në Afrikë se nuk dëshiron të hyjë në debat me presidentin amerikan, por do të vazhdojë të promovojë paqen.
Papa kritikoi liderët që “mbyllin sytë ndaj faktit se miliarda dollarë shpenzohen për vrasje dhe shkatërrim, ndërsa burimet e nevojshme për shërim, arsim dhe rindërtim nuk gjenden askund”.
“Zotërinjtë e luftës pretendojnë se nuk e dinë që mjafton vetëm një moment për të shkatërruar, ndërsa shpesh as një jetë e tërë nuk mjafton për të rindërtuar,” citohet të ketë thënë ai të enjten nga BBC.
Papa dënoi gjithashtu “një cikël të pafund destabilizimi dhe vdekjeje” në një rajon “të përgjakur” të Kamerunit, i cili është përfshirë nga kryengritje prej gati një dekade.
“Ata që i grabisin vendit tuaj burimet zakonisht investojnë pjesën më të madhe të fitimeve në armë, duke e përjetësuar kështu një cikël të pafund destabilizimi dhe vdekjeje,” u tha ai të pranishmëve në katedralen e qytetit Bamenda, në veriperëndim të vendit. Epiqendra e dhunës që ka lënë të paktën 6 mijë të vdekur dhe ka zhvendosur shumë të tjerë.
