Kanë vazhduar kritikat e ndërmjetme mes deputetit të LSDM-së, Muhamed Zekiri dhe drejtoreshës së shkollës fillore “Ismail Qemali”, Burbuqe Ymeri. Tash Zekiri e kritikon Ymerin.
Zekiri përveç problemit me orët online, ka numëruar edhe probleme të tjera, si kushte të mjerueshme dhe dhënia me qira e hapësirave të shkollës të cilat janë shndërruar punëtori të kompanive private.
“E nderuar drejtoresh Burbuqe Ymeri, fillimisht me vjen keq që reagoni në këtë mënyrë. E dyta, nuk mund më mirë se unë ta dini a ka zhvilluar apo jo orë online vajza ime. E treta është mire të shini në çfarë gjendje të mjerueshme është ndërtesa e shkollës që ju drejtoni dhe në çfarë kushte të mjerueshme ndjekin mësimin fëmijët tanë aty. Mos të flasim se një pjese e hapësirave të kësaj shkolle janë dhënë me qira dhe janë shndërruar në punëtori për kompani private. Ku në fund përfundojnë këto mjete, ju e dini më së miri.
Shëndet dhe dëshiroj ti përkushtoheni kujdesit jo vetëm ndaj stafit tuaj, por edhe nxënësve dhe kushteve ku punojnë dhe mësojnë arsimtarët dhe fëmijët tanë”, reagoi Zekiri, njofton TV21.
Ky reagim vjen pasi drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemali”, Burbuqe Ymeri e hodhi poshtë si të pavërtetë deklaratën e deputetit të LSDM-së, Muhamed Zekiri që në shkollën që e udhëheq ajo nuk mbahet mësimi online. Zekiri në “Facebook”, duke demantuar ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, thotë se “bija ime mëson në shkollën “Ismail Qemali” dhe nuk ka mbajtur asnjë orë online“.

