Zaev dhe Radev biseduan për perspektivën e arritjes së një hapi real në integrimin Evropian të Maqedonisë së Veriut

TË FUNDIT

Perspektiva për arritje të një hapi real në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka qenë në fokusin e takimit të sotëm të kryeministrit Zoran Zaev dhe presidentit të Bullgarisë Rumen Radev në përfundimin e Samitit të NATO-s në Bruksel. Në takim është diskutuar  vizita e kryeministrit  Zaev në Sofje, që është parashikuar për këtë javë.

Siç citohet në kumtesën  e pres shërbimit qeveritar, presidenti bullgar Radev e nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme dhe principiele për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe pritjen e Bullgarisë për dialog politik aktiv dhe të menjëhershëm  nëpër të cilat do të zgjidhen çështjet e hapura në marrëdhëniet e ndërsjella.

“Rumen Radev dhe Zoran Zaev e theksuan shenjën  pozitive në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, që shefat e shteteve të Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut e arritën me vizitën e tyre të përbashkët në maj në Romë dhe Vatikan, që t’u japin respekt vëllezërve Shën Cirili e Metodi”, potencohet në kumtesë.

Në takim, siç citohet,  është theksuar vullneti i përbashkët për arritje të rezultateve të qëndrueshme në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, për plotësimin e pritjeve të qytetarëve në të dy vendet.

Partneriteti bilateral në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, dhe mundësia për zgjerim të bashkëpunimit në fushën e stërvitjes ushtarake dhe këmbimit të kadetëve ndërmjet dy vendeve,  gjithashtu ishte pjesë e temave për të cilat në Bruksel kanë biseduar kryeministri Zaev dhe presidenti bullgar Radev.

Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i obliguar për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, si dhe ministri i Mbrojtjes të Republikës së Bullgarisë, Gjeorgji Panajotov.