Xhaferi, takime bilaterale me Anxhelo Faruxha dhe Irakli Kobahixe

Në margjinat e Asamblesë 140. të UIP, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xahferi realizoi takime bilaterale me Anxhelo Faruxha, kryetar i Dhomës Përfaqësuese të Republikës së Maltës dhe Irakli Kobahixe, kryetar i Parlamentit të Gjeorgjisë.

 

Në takimin me z. Kobahixe, Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për vendosjen e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë në shkurt të këtij viti dhe theksoi se me këtë akt në masë të madhe do të avancohen marrëdhëniet politike dhe bashkëpunimi i përgjithshëm në planin bilateral dhe atë multilateral. Kryetari Xhaferi po ashtu nënvizoi se të dy vendet ndajnë përcaktim të njëjtë strategjik për anëtarësim në BE dhe NATO, me ç’rast e informoi bashkëbiseduesin me aktivitetet që i ndërmerr Republika e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO dhe hapjen e negociatave aderuese me BE-në.

 

Z. Kobahixe theksoi se vendosja e marrëdhënieve bilaterale diplomatike me Republikën e Maqedonisë së Veriut është një hap përpara kah përforcimi i mbështetjes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat. Ai foli për bashkëpunimin parlamentar dhe këmbimin e përvojave, me ç’rast e përmendi vizitën në Kuvendin tonë me qëllim të njoftimit me aktivitetet, funksionimin dhe shërbimet që i ofron Instituti ynë Parlamentar.


Në takimin me z. Anxhelo Faruxha, kryetari Xhaferi theksoi se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 2016, raportet dhe bashkëpunimi janë avancuar në masë të konsiderueshme në të gjitha fushat me interes të përbashkët, sidomos në kontekst të proceseve integruese evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 


Ai falënderoi për mbështetjen pa rezervë që Republika e Maltës ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE dhe potencoi se përvoja e Maltës do të ishte shumë e dobishme për vendin tonë në procesin e integrimit në BE dhe pikërisht në këtë drejtim ka hapësirë për këmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në nivel të institucioneve dhe shërbimeve. Njëkohësisht, Kryetari Xhaferi nënvizoi se bashkëpunimi parlamentar e hap rrugën që qeveritë më tutje ta konkretizojnë bashkëpunimin me nënshkrimin e marrëveshjeve dhe implementimin të njëjtave.

 

Z. Faruxha drejtoi urime për Republikën e Maqedonisë së Veriut për arritjet në procesin e integrimit euroatlantik dhe shtoi se, Malta do e mbështesë vendin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht do i ndihmojë në proces nëpërmjet formave të ndryshme të këmbimit të përvojave, praktike të mira dhe bursave për nëpunësit për stazh në institucionet e tyre.
Kryetari Xhaferi informoi për aktivitetet e Kuvendit si edhe për rrjedhën e zgjedhjeve presidenciale. Nënvizoi se në qershor pritet që vendi ynë të marrë datë për fillimin e negociatave me BE, që do të dërgojë sinjal të qartë për ardhmërinë evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për qytetarët e saj. 


Ai e përshëndeti interesimin e bashkëbiseduesit për ndarjen e bursave për shërbimin për trajnim në temat që kanë të bëjnë me rolin e parlamentit në procesin e integrimit në BE.