26 shkolla rurale mbyllen, 300 paralele më pak! këtë vit regjistrohen rreth 14.500 klasë të parë

TË FUNDIT

Ky vit shkollor do të nisë me 200 paralele më pak në arsimin fillor dhe 100 paralele më pak në ciklin e mesëm. Në 26 fshatra do t’u vihet çelësi shkollave, ngaqë nuk ka të regjistruar nxënës në klasë të parë ose ka paralele të përziera me më pak se 10 nxënës. Ministrja e Arsimit Vesna Janevska theksoi se kjo bëhet me qëllim që t’u mundësohet nxënësve socializmi dhe të përmirësohet cilësia e arsimit, mos të jenë të izoluar në një mjedis të caktuar rural, ku mbizotërojnë parime të caktuara, madje edhe stereotipa.

“Nëse duhet do të thotë që shkolla ndodhet mbi 20 ose 15 km largësi nga shkolla më e afërt, nëse rrugët nëpër të cilat duhet të udhëtojnë janë të papërshtatshme dhe të paarritshme dhe nxënësit duhet të harxhojnë gjithë ditën rrugëve, kjo nuk është e përshtatshme për fëmijët e vegjël nga klasa e parë deri në të pestën. Atëherë do ta aplikojmë këtë që e bëjnë edhe shtete të tjera, megjithatë, nëse 2,5 kilometra larg kemi një shkollë qendrore ku mësojnë 200 fëmijë, ndërsa 2,5 kilometra në drejtimin tjetër kemi një shkollë ku mësojnë 18 fëmijë, nuk ka logjikë t’i mbajmë fëmijët të izoluar në atë shkollë”, tha Janevska.

Në pyetjen se a do të sigurohen në kohë tekstet shkollore, ministrja Janevska siguron se nuk do të mungojnë.

“Librat janë distribuuar tashmë dhe janë nëpër shkolla. Këtë vit e kemi kryer shumë më herët përpara se të fillojë viti shkollor. Kjo është përgjigja, nxënësit do te kenë libra”, u shpreh Janevska.

Ministrja bëri të ditur se këtë vit janë regjistruar rreth 14.500 nxënës të klasës së parë, ndërsa shifra pritet të ndryshojë pasi regjistrimet vazhdojnë edhe gjatë gushtit dhe shtatorit. Sipas Janevskës, numri është më i ulët se vitin e kaluar, megjithëse diferenca prej mbi 4.000 nxënësish, e evidentuar fillimisht, tashmë është zvogëluar.