Eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka paralajmëruar reforma të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, me synim përshtatjen e BE-së ndaj një zgjerimi të mundshëm me më shumë se 30 vende anëtare. Në Konferencën e Ambasadorëve kroatë në Zagreb ajo tha se procesi po hyn në një “moment të ri të Helsinkit” dhe se Komisioni Evropian po përgatit një metodologji të re për integrimin e vendeve kandidate. Kos theksoi se zgjerimi do të shoqërohet me kontroll më të rreptë dhe reforma të rëndësishme brenda vetë BE-së. Ajo paralajmëroi gjithashtu një proces vendimmarrjeje më të thjeshtë dhe fleksibil, duke përfshirë mundësinë e kufizimit të fushave ku një shtet anëtar mund të bllokojë vendimet e të tjerëve.
“Bota ka ndryshuar dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të. Komisioni do të prezantojë idetë e tij se si Bashkimi Evropian duhet të përgatitet ndërsa vendet kandidate i afrohen fundit të negociatave për anëtarësim”. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për ta bërë procesin e vendimmarrjes më të thjeshtë dhe më fleksibil. Kjo mund të nënkuptojë edhe zvogëlimin e numrit të fushave ku një shtet anëtar mund t’i bllokojë të gjithë të tjerët. Por kjo nuk do të nënkuptojë zvogëlimin e institucioneve tona”, tha Kos.
Kos kërkoi mekanizma më të fortë për mbrojtjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendet e reja anëtare, duke iu referuar rastit të Hungarisë. Ajo tha se BE-ja duhet të largohet nga qasja “gjithçka ose asgjë” dhe të zbatojë integrim gradual, me përfitime konkrete për vendet kandidate.
“Duhet të sigurohemi që të mos lejojmë që ‘kuajt e Trojës’ të hyjnë në BE. As sot, as pas 10 apo 20 vitesh. Përvoja e fundit ka treguar se mund të nevojiten masa mbrojtëse më të fuqishme për të parandaluar dhe, nëse është e nevojshme, për të korrigjuar shkeljet e parimeve dhe vlerave themelore të Unionit. Zgjerimi i BE-së duhet të evoluojë për t’iu përgjigjur realitetit të ditëve të sotme. Prandaj, duhet të largohemi nga logjika ‘gjithçka ose asgjë’ në zgjerim. Duhet të kërkojmë mënyra më ambicioze për integrim gradual”, u shpreh Kos.
Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar në rrugën drejt BE-së për shkak të kontestit me Bullgarinë. Për të vazhduar procesin, vendi duhet të bëjë ndryshime kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë, për të cilat nevojitet shumicë prej dy të tretash.
