Twitter humbet më shumë se 4 milionë dollarë në ditë, Elon Musk shkarkon gjysmën e punonjësve

TË FUNDIT

Pronari i ri i Twitter, Elon Musk thotë se ai nuk kishte “zgjidhje” veçse të shkurtonte fuqinë punëtore të kompanisë pasi firma po humbet më shumë se 4 milionë dollarë në ditë.

Gjysma e stafit të kompanisë po pushohet nga puna, një javë pasi Musk bleu Twitter në një marrëveshje prej 44 miliardë dollarësh.

Stafi i Twitter ka përdorur platformën për të folur për shkarkimin e tyre.

Ka shqetësime se Twitter mund të zvogëlojë moderimin e përmbajtjes, por Musk tha se politikat e firmës mbeten “absolutisht të pandryshuara”.

Ndërsa raportet dolën të premten se mijëra punonjës në Twitter në mbarë botën po humbnin punën e tyre, u ngritën pyetje mbi të ardhmen e punonjësve përgjegjës për heqjen e materialeve të dëmshme.

Grupet e sigurisë në internet dhe aktivistët kanë sugjeruar që Musk mund të relaksojë politikat e moderimit, duke e bërë Twitter më pak efektiv në heqjen e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit nga platforma.

Këto shqetësime u nxitën nga komentet e Musk të premten, i cili kërkonte të fajësonte “rënien masive të të ardhurave” të Twitter tek “grupet aktiviste” të cilët “po përpiqeshin të shkatërronin lirinë e fjalës në Amerikë”.

Yoel Roth, Shefi i Sigurisë dhe Integritetit të Twitter, tha se shumica e më shumë se 2.000 rregullatorëve të përmbajtjes që punojnë në “rishikimin e linjës së parë” nuk u ndikuan.