Berisha për Ramën: Ka dy rrugë për ta larguar, si Çaushesku ose padroni në Beograd

TË FUNDIT

 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe mundësinë e rotacionit politik.

Përballë gazetarit Besard Jacaj në Klan News, kryedemokrati foli për rolin e opozitës, raportin e saj me qytetarët dhe situatën politike në vend, ndërsa Shqipëria po përjeton prej 15 ditësh protesta ku nuk kanë munguar episodet e dhunës.

Berisha u ndal te përqendrimi i pushtetit në duart e mazhorancës socialiste, duke iu referuar zhvillimeve politike të dekadave të fundit.

“Sali Berisha dorëzoi pushtetin në vitin 2013 me koalicionin e tij, 48% të pushteteve. Ndaj, i dashur, nga viti ’92 deri në vitin 2012 patën vend katër rotacione. Shqipëria kaloi kriza në rrugë demokratike. Më vonë, sipas këtij Instituti, kur u fut drejtësia e tëra në xhep, Edi Rama dhe PS-ja, arrin të ketë 90% të pushtetit në vitin 2020. Padroni i tij në Beograd, që u përmbys, nuk ka pasur më shumë se 60% të pushtetit.”

I pyetur për rolin e opozitës në këtë situatë dhe nëse ajo mban ndonjë përgjegjësi, Berisha theksoi se kryeministri nuk është i gatshëm të largohet nga pushteti përmes një procesi normal politik.

“Nëse kryeministri vendos të mos e dorëzojë pushtetin, bëj ç’të duash, nuk ja merr dot! Ka dy rrugë, si Çaushesku ose padroni në Beograd. Tani i iku koha atij!”

Kreu i demokratëve u pyet edhe për atë masë qytetarësh që janë kritikë ndaj opozitës. Në përgjigjen e tij, ai nënvizoi se opozita është një mision duke sjellë si argument përvojën e tij shumëvjeçare në politikë.

“Në këto 35 vite politikë, kam pasur 13 vite në pushtet, të gjitha të tjerat në opozitë. Opozita është mision real, unë kam qëndruar në opozitë duke u votëbesuar me dhjetëra herë.”

I pyetur konkretisht për rezultatin e fundit të brendshëm të partisë dhe mbështetjen që gëzon, Berisha pretendoi se një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë nuk pranon të përfshihet në garën politike, pasi, sipas tij, procesi zgjedhor nuk ofron kushte të barabarta.

“Nga viti 2009, Edi Rama nuk është votuar asnjëherë të vetme. Aty s’votohet njeri, janë të gjitha emërime. E nisi karrierën si kryeministër me akuzën për 200 milionë euro të fshehura në bankat offshore. Berisha ka dy vettinge, i vetmi politikan në Europë, ku kanë gjetur zero! Kanë gjetur ligjin dhe vetëm ligjin”, shtoi më tej.

Në vijim, Berisha komentoi edhe çështjet që lidhen me drejtësinë dhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke këmbëngulur se ndaj tij nuk është konstatuar asnjë shkelje.

Ai iu referua dosjes “Partizani”, ndërsa krahasoi kushtet e tij të jetesës me ato të kundërshtarit politik.

“Jetoj në apartament me 40 metra më shumë se apartamenti që kam pasur në vitet ’80″, u shpreh ai, ndërsa për kryeministrin shtoi “se ai jeton në saraje”.