TEST DROGE DHE ALKOOLI PËR DEPUTETËT, LSDM DHE VMRO-DPMNE MBËSHTESIN GRUPIN E PAVARUR, XHAFERI JO

TË FUNDIT

120 deputetet e Kuvendit të bëjnë test për përdorimin e lëndëve narkotike, propozon grupi i pavarur i  deputeteve të VMRO-DPMNE-së. Ata i kanë kërkuar Kuvendit që ditën e hënë, të mundësojë kushte dhe ekip mjekësor i cili do të mund ta zbatojë nismën  e tyre.

“Kërkojmë që Kuvendi të hënën të mundësojë kushte dhe ekip mjekësor i cili do të mund ta zbatojë këtë. Njëkohësisht propozojmë që edhe politikanë të tjerë, funksionar aktual dhe mëparshëm, nëpunës administrative, gjykatës, prokuror, kryetarë komunash dhe këshilltarë të na bashkohen në qëllimin tonë që qytetarëve tanë t’u japim shembull të mirë në luftën kundër keqpërdorimit të lëndëve narkotike”, thonë nga VMRO DPMNE-ja.

Por nuk ka munguar përgjigja e kryetarit të Kuvendit. Nga atje thonë se deri tani nuk ka arritur kurrfarë iniciative dhe se kreu i Kuvendit do të veprojë sipas rregullores dhe ligjit për deputet.

“Kabineti i kryetarit të Kuvendit nuk i komenton dhe nuk do t’i komentojë deklaratat e grupeve parlamentare. Në momentin që në Kabinetin e kryeparlamentarit do të arrijë iniciativë konkrete, kryetari Xhaferi do ta shqyrtojë, do të prononcohet dhe do të veprojë sipas kompetencave që i siguron Kushtetuta, Rregullorja dhe Ligji për deputetë”, thonë nga kabineti i kryetarit të Kuvendit.

Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski, thotë se  do ta zbardhin rastin me deputetin Bogoevskin.

“Ne e hetojmë rastin. Të gjithë e dini se nuk bëhet fjalë për bisedë të përgjuar nga institucione, por për bisedë e cila më me gjasa është incizuar me telefon, apo me ndonjë aparat tjetër. Sido që të jetë, ne punojmë mbi këtë rast dhe është mirë që të gjithë rastet t’i zbardhim, me qëllim që ta pengojmë keqpërdorimin e incizimit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut”, theksoi Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski.

Për LSDM-në ideja e deputetëve të pavarur është e pranueshme.

“Është diçka shumë e thjeshtë dhe e pranueshme. Këtë iniciativë duhet ta shqyrtojë kryetari i Kuvendit dhe të marrë vendim në pajtueshmëri me kompetencat. Për ne është e pranueshme”, potencoi Jagoda Shahpaska, deputete e LSDM-së.

Për VMRO-DPMNE është e pranueshme ideja e grupit të pavarur.

“Absolutisht është e pranueshme dhe është diçka që edhe nga VMRO-DPMNE-ja ka ide të tillë për iniciativë të këtillë. E dyta, jo vetëm që deputetët duhet të testohen kështu, por duhet edhe të kontrollohen, veçanërisht ata deputetët të cilët posedojnë…. ka më shumë  deputetë të këtillë të cilët edhe nëse nuk janë anëtarë të Komisionit kanë të drejtë të marrin certifikatë sigurie”, u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

Ky reagim i deputetëve opozitarë vjen pas publikimit në një profil anonim në rrjetet sociale, ku deputeti Pavle Bogoevski dëgjohet se si porosit lëndë narkotike. Deputeti pranon se është zëri i tij, por mohon se ka porositur kokainë, por vaj të kanabisit për qëllime mjekësore.

Përgatiti: Zimer Jashari