Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bëri thirrje vendeve anëtare të Aleancës që t’i dërgojnë më shumë armë Ukrainës, informon DPA.
“Ju bëj thirrje aleatëve që të bëjnë më shumë. Plotësisht është në interes të sigurisë sonë që të kujdesemi që Ukraina të fitojë dhe (presidenti rus Vladimir) Putin të mos fitojë”, tha Stoltenberg në intervistë për DPA.
Sipas tij, më e rëndësishme është që Ukraina të marrë mjaftueshëm municion për sistemet tashmë të vendosura. Ai insiston se nevoja për municion dhe pjesë rezervë “është e madhe”.
“Ndoshta tingëllon si paradoksale, por ndihma ushtarake për Ukrainën është rruga më e shpejtë për paqe”, tha ai.
“E dimë se shumica e luftërave përfundojnë në tryezën e bisedimeve – edhe kjo luftë sipas gjitha gjasave do të përfundojë ashtu, por e dimë se atë që mund ta arrijë Ukraina në këto bisedime ka lidhje të pandashme me gjendjen e luftës”, tha Stoltenberg.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s e bëri të ditur qartë se sulmet ukrainase të para pak kohe ndaj objektivave në Rusi i konsideron si tërësisht legjitime.
“Çdo vend ka të drejtë që të mbrohet – përfshirë edhe Ukrainën, tha ai, duke sqaruar se sulmet ukrainase duhet të shihen në kontekst. Kjo, tha ai, përfshin sulme masive ruse ndaj infrastrukturës civile, qëllimi i të cilëve është që t’i lënë ukrainasit pa ujë, rrymë dhe ngrohje në dimër.
I pyetur nëse mendon se është ide e mirë që të dërgohen raketa me rreze të mesme veprimi në Ukrainë, Stoltenberg tha se “dialogu mes aleatëve dhe me Ukrainën për sisteme konkrete” vazhdon.
Ai theksoi se vendet e NATO-s tashmë i kanë dërguar Ukrainës sisteme për armë me rreze të gjatë veprimi, siç janë raketahedhësit Himars dhe artileri me rreze të gjatë veprimi. Dërgohen edhe dronë dhe automjete të blinduara, tha Stoltenberg.
