Shpërtheu një zjarr i madh pyjor, i cili ka përfshirë një pyll me pisha pranë fshatit Biglla në rajonin e Dellçevës, në shuarjen e të cilit u aktivizuan tre aeroplanë traktorë dhe një helikopter i policisë. Drejtori i DMS-së, Stojançe Angellov, thotë se shkak për këtë është një banor i papërgjegjshëm i fshatit, i cili po digjte goma.
“Zjarri që shpërtheu papritur pranë fshatit Biglla, i cili ndodhet diku në gjysmën e rrugës që nga Makedonska Kamenica çon drejt Dellçevës, është vënë nën kontroll të pjesshëm falë ndërhyrjes nga ajri të tre avionëve „Er Traktor“, si dhe falë zjarrfikësve të guximshëm që po luftojnë me flakët nga toka, nga Dellçeva, Berova, Koçani, Vinica dhe e gjithë zona përreth, me mbështetjen e disa zjarrfikësve vullnetarë, banorëve lokalë, por edhe të forcave të „Pyjeve Kombëtare“ dhe vetëqeverisjes locale”, tha Angellov.
Ka informacione se një zjarr i madh nga Serbia po afrohet drejt Maqedonisë dhe tymi është vërejtur edhe mbi Likovë dhe Kumanovë, por për momentin nuk ka informacione më të detajuara. Mbrëmë, lufta me zjarrin u zhvillua edhe në fshatin Bonçe të Prilepit, ku zjarri u afrua edhe pranë shtëpive. Në terren gjatë gjithë natës kanë shuar zjarrin zjarrfikës vullnetarë nga Manastiri, ndërsa kanë ndihmuar edhe banorët lokalë.
“Meqë pak më parë mora informacion se ka shpërthyer një zjarr i fuqishëm pyjor në një pyll me pisha, pranë kufirit me Bullgarinë, në territorin e Komunës së Pehçevës, kryetari i komunës Kitanovski tashmë ndodhet në vendin e zjarrit. Për këtë arsye, ai i ridrejtoi avionët „Er Traktor“, të cilët sapo ishin ngritur në ajër, drejt zjarrit të ri pyjor në pyllin me pisha. Do të përpiqemi t’i japim goditjen e parë para se zjarri të zhvillohet në një zjarr të madh, sepse pylli me pisha është shumë i vështirë për t’u shuar. Nëse zjarri përhapet këtu, do të kemi një problem shumë të madh”, deklaroi Angellov.
Dje një zjarr i tmerrshëm po përhapej edhe në rajonin e Strumicës, i cili gjatë natës u vu nën kontroll. Informacionet janë se janë djegur disa objekte ndihmëse, makineri bujqësore dhe plantacione shumëvjeçare, ndërsa zjarri ka hyrë edhe në një pjesë të oborreve të shtëpive dhe vikend-shtëpive në lokalitetet Sofilar, Vodoçë dhe Banicë.
