Sa serioze është mundësia për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare? Partitë politike këto ditë e kanë nxehur atmosferën, pasi më herët kryeministri Hristijan Mickoski e hapi sërish temën duke thënë se nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme, ai është i gatshëm. Analisti politik Petar Arsovski thotë se për momentin zgjedhjet e parakohshme i përshtaten vetëm VMRO-DPMNE-së dhe eventualisht BDI-së, por megjithatë thotë se ajo që është e rëndësishme është se për momentin nuk ka motiv të arsyeshëm për këto zgjedhje.
Për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme janë deklaruar të gjitha partitë opozitare, përveç LSDM-së, të cilat thanë se nuk duan t’i bëhen alibi Mickoskit për një garë të re zgjedhore, ndërsa as VLEN nuk ka dalë me qëndrim. Arsovski thotë se për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pushteti ka shumicë të mjaftueshme, por në atë rast mbi ta do të bjerë edhe përgjegjësia. Cila do të mund të ishte arsyeja për thirrjen e zgjedhjeve?
Ndërkaq, nga partia opozitare edhe sot përsëritën se nuk do t’i japin alibi Mickoskit për zgjedhje të parakohshme.
Kryeministri Mickoski në intervistën e tij të fundit tha se, nëse opozita mendon se janë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme, do t’i përgjigjen pozitivisht asaj kërkese dhe se do të fitojnë.
