“Status Quo” për procesin e negociatave! Kovaçevski: Për shkak të disa politikanëve, qytetarët janë të privuar nga BE-ja

TË FUNDIT

Status quo për procesin e negociatave të Maqedonisë me BE-në. Shkaku, sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski është “Koalicioni pro rus i VMRO-DPMNE-së dhe Levicës që janë kundër BE-së dhe kundër NATO-s”. Ai shtoi se qytetarët me këta politikanë mund të binden se janë privuar nga anëtarësimi në familjen progresive të BE-së. Këtë samit e krahasoi me atë të vitit 2008, Samiti i NATO-s në Bukuresht, kur vendi ynë nuk mori ftesë për anëtarësim për shkak të kontestit të pazgjidhur me Greqinë.

TV21: Edhe në konkluzionet shkruan se menjëherë do të mbahej konferenca e dytë ndërqeveritare pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese…a do të ishin faktor rëndues eurozgjedhjet nëse në periudhën që vijon nuk realizohen ndryshimet kushtetuese?

“Faktori i vetëm rëndues për mosmbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare që është shkruar qartë në konkluzionet është koalicioni pro rus në Maqedoninë e Veriut, që është kundër BE-së dhe kundër NATO-s. Pasi realizohen amendamentet e Kushtetutës që janë të natyrës teknike, dhe të gjithë ju e dini se nuk ka asnjë vërejtje për amendamentet, atëherë do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare. Gjithsesi, kjo dritare e mundësisë që e kemi deri në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe në BE, nuk guxojmë ta lëshojmë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Në konkluzionet, BE e thekson nevojën për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë. Theksohet se Ballkani Perëndimor duhet t’i përkushtohet bashkëpunimit rajonal dhe përforcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke i përfshirë edhe vendet anëtare të BE-së. Në këtë dokument theksohet edhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit që e arritën Beogradi dhe Prishtina, pa asnjë prolongim dhe pa asnjë parakusht në lidhje me marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Dje në mbrëmje kryetari i Këshillit Europian Sharl Mishel tha se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet gradualisht që të ndihen përfitimet nga anëtarësimi edhe para se të bëhen anëtare të BE-së. Gjithashtu u prezantua edhe plani për rritje të Ballkanit perëndimor në vlerë prej 6 miliardë dollarëve.

Jovica Paunoski, TV21, Bruksel, Belgjikë.