Bajramali Xhaferi është një ndër blegtorët e fshatin Pallaticë, Komuna e Zhelinës. Familja e tij merret me blegtori breza me radhë. Tregon se breshëri ia ka shkatërruar të gjitha të mbjellat, si për ushqim për vete po ashtu edhe për kafshët. Ai bën apel që shteti të ndihmojë sadopak. Ankohet se deri më tani askush nuk ka qenë për të vizituar tokat e tij por, edhe vetë Bajramaliu nuk ka paraqitur në komunë dëmet pasi, siç thotë, nuk ka qenë i njoftuar.
“Dëme kemi 25 kile grurë na ka dëmtuar 30 kile misër, speca nja 800 metra. Kemi shumë dëm. Ne jemi blegtor para 215 viteve, merremi me blegtori. Edhe misrin na e ka prishë, edhe grurin. Jo, jo, asgjë një kokë nuk e ka në kalli, edhe barin e ka prish si me kosë. Po të na ndihmojë nuk është e domethënë të na japin para, drithë le të na japin, të kemi përgatitje për dimër, lere me përgatitjen e njerëzi, jo se jetojmë më atë po edhe ushqehemi me atë”, tha Bajramali Xhaferi, blegtor.
Dëme nuk ka vetëm në të mbjella por edhe në shtëpi. Janë dëmtuar fasada por edhe stalla.
“Siç edhe e shihni kjo pjesa këtu është e dëmtuar e gjithë do të duhet të hidhet, siç e shihni ujë ka akoma pjesën e stallës plekat janë nxjerr nga era, tek shtëpia breshëri na ka dëmtuar edhe fasadën, dëme kemi pasur. Përafërsisht këtu tek gruri, tek stalla, dëmi që na ka kushtuar është 12 mijë euro, është pjesë që e shfrytëzojmë dhe që ushqehemi. Askush nuk ka qenë hiq, asnjë informatë vetë kemi marr iniciativë e kemi rregulluar. Apel institucioneve duhet të dalin në terren të shohin dëmet që janë bërë, ne nuk i fajësojmë institucionet, kjo është e natyrës, por kur të zgjat një krah, është ndihmesë e madhe”, u shpreh Pajtim Rexhepi, bujk.
Dëmet në Komunën e Zhelinës janë më të mëdha nga sa kanë denoncuar qytetarët në komunë dhe në polici. Deri dje në komunë kishte 40 denoncime, por gjatë sot morëm vesh se asnjëri nga bujqit dhe blegtorët që vizituam, nuk kishin paraqitur dëmet. Thoshin se nuk kanë qenë të informuar.