Shqipëria ratifikoi marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar

TË FUNDIT

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet dy vendeve. Seanca filloi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të aksidentit në Bullgari, ku humbën jetën 44 persona nga Maqedonia e Veriut, dhe më pas vijoi me diskutimet për marrëveshjen dhe projektligje të tjera.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ” është miratuar me 127 vota pro, asnjë kundër dhe dy vota abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Bledar Çuçi, duke folur në seancë për marrëveshjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, tha se është një marrëveshje që krijon një instrument që do të lehtësojë jashtëzakonisht shumë, qoftë kalimin e shtetasve midis dy vendeve, ashtu edhe të mallrave dhe shërbimeve.

“Njëherësh kjo marrëveshje do të përmirësojë kushtet për një kontroll më inteligjent të pikave të kalimit kufitar, duke i sjellë ato sado pranë në linjë me standardet e BE-së. Kjo marrëveshje është iniciuar, diskutuar dhe bashkërenduar midis palëve, duke marrë parasysh fluksin gjithmonë dhe më në rritje të qarkullimit të shtetasve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve tona. Ne besojmë se kjo do të përmbushë synimin për përmirësimin e infrastrukturës së transportit rajonal dhe të hapësirës më të gjerë evropiane”, tha ministri Çuçi.

Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Denis Deliu, gjatë fjalës në seancë tha se marrëveshja i përgjigjet vullnetit për të forcuar dhe zhvilluar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Marrëveshja krijon përparësi në lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mjeteve gjatë kalimit të kufirit, për regjistrimin dhe kontrollin sa më efektiv. Ndikon në forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit për përmbushjen e interesave të përbashkëta të sigurisë, si dhe sjellë përmirësimin e shkëmbimit të shpejtë të informacionit dhe intensifikon bashkëpunimin policor”, tha Deliu.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, marrëveshja që është nënshkruar më 10 qershor 2021, është iniciuar në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të dy qeverive, me qëllim për të thjeshtëzuar dhe lehtësuar procedurat e lidhura me kontrollet kufitare dhe duke marrë parasysh fluksin në rritje të qarkullimit të shtetasve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.

Gjithashtu synohet lehtësimi i qarkullimit të shtetasve dhe mjeteve gjatë kalimit të kufirit, si në pjesën e regjistrimit ashtu edhe dhe në pjesën e kontrollit.

Kuvendi ka miratuar edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian, për Programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut – Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020”.

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar edhe projektligjin për “Buxhetin e vitit 2022”, që i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2022.

Projektligjet në fjalë, pasi të dekretohen nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, do të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

MARKETING I PAGUAR POLITIK