Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, përsërit se është i gatshëm të diskutojë për Kodin Zgjedhor, por vetëm nëse nga propozimi ligjor largohet neni që ndryshon modelin aktual të votimit të diasporës. Sipas tij, mund të formohet një grup pune me ekspertë, i cili do të shqyrtojë opsionet më të përshtatshme për t’ua lehtësuar procesin e votimit qytetarëve që jetojnë jashtë vendit. Theksoi se modele si votimi elektronik apo votimi me postë nuk kanë dhënë rezultatet e pritura në shumë vende evropiane, pavarësisht se ato kanë sisteme më të zhvilluara dhe kontroll më të madh institucional.
I pyetur për këtë, Mickoski tha se nga përvoja ka mësuar se nëse dëshiron që një punë të mos kryhet – atëherë mund të formosh grup pune ose komision.
Mickoski u bëri thirrje partive opozitare LSDM, BDI, ASH, LSH dhe Levica që vetë të konsultojnë ekspertë dhe të dalin me propozim.
Të hënën, dy ditë para skadimit të afatit shtesë për miratimin e Kodit Zgjedhor, është paralajmëruar se Levica do të iniciojë një takim.
