Shkup-veri, digjet vetura me mbeturina, 15 vjet e parkuar afër parkut të fëmijëve

TË FUNDIT

Kjo veturë e braktisur ka 15 vjet që është parkuar në këtë vend. Për banorët që jetojnë në lagjen Veri, vetura ka shërbyer edhe si kosh mbeturinash.

Pas mesnatës të njëjtës iu vë flaka dhe u dogj bashkë me mbeturinat që gjendeshin në të.

Nga Brigada e Zjarrfikësve njoftuan se pasoja nuk ka nga zjarri.

“Mbrëmë në orën 01:00 kemi marrë thirrje për zjarr në veturë në rrugën “Boro Menkov”. Bëhet fjalë për një veturë e cila nuk ishte në përdorim dhe kishte edhe mbeturina në të. Është intervenuar shpejtë dhe zjarri është nën kontroll”, tha Nuredin Mustafa, brigada e zjarrfikësve.

Kryetari i Komunës së Butelit, Velimir Smilevski premtoi se problemi me veturat e braktisura do të zgjidhet. Bashkë me Qytetin e Shkupit janë duke punuar në ndryshimin e rregullores me të cilin do të parashihet zhvendosja e tyre në një parking të veçantë.

“Me qytetin e Shkupit jemi duke gjetur mënyra që të ndryshohet Rregullorja që të mund veturat e tilla t’i largojmë dhe t’i parkojmë në parking adekuat. Për momentin Komuna e Butelit dhe Qyteti i Shkupit nuk ka të drejtë të t’i zhvendosë veturat e tilla. Konkretisht, për vetura e tilla që janë të braktisura në shumë raste i kemi lutur pronarët t’i zhvendosin, por këto kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër”, tha Velimir Smilevski, Kryetar i Butelit.

Nuk është vetëm kjo veturë. Pak më andej janë edhe dy vetura të tjera të braktisura që gjenden afër parkut të fëmijëve. Banorët nuk dëshirojnë të flasin për rastin, sepse frikësohen nga pronarët e veturave. Prapa kamerës të gjithë shprehen të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve.

Problemi me veturat e braktisura është i pranishëm në shumë komuna e Shkupit.