Shkëndija kërkon përmbysjen ndaj Bravos! Hyrja falas për tifozët në arenën “Todor Proeski”

TË FUNDIT

Shkëndija sonte luan ndeshjen vendimtare për kualifikim në raundin e tretë të UEFA Conference League. Kuqezinjtë presin skuadrën sllovene Bravo në Arenën “Todor Proeski” në Shkup, me synimin për të përmbysur humbjen 2:1 nga ndeshja e parë. Për të siguruar mbështetje sa më të madhe, klubi ka vendosur që hyrja në stadium të jetë falas për të gjithë tifozët.

Trajneri Artim Pollozhani tha se ekipi duhet të jetë më efikas para portës dhe të shfrytëzojë rastet e krijuara, duke theksuar se në ndeshjet me eliminim rezultati është mbi gjithçka.

“Patjetër që në Slloveni kemi bërë një ndeshje të bukur nga aspekti i manovrës, por që ka munguar finalizimi. Çka do të thotë, tek pjesa e finalizimit, duke i ndarë veçoritë e ndeshjes, ne duhet të jemi më korrektë sepse bëhet fjalë për eliminim. Në momentin që bëhet fjalë për eliminim, patjetër që nëse ti bën një ndeshje të bukur, është me patjetër që të finalizosh, sepse është ndeshje me eliminim dhe kjo pastaj shkakton probleme, tha Artim Pollozhani – trajner I Shkëndijës.

Edhe mesfushori Drilon Islami u shpreh optimist se Shkëndija mund ta përmbysë rezultatin.

“Normalisht që i gjithë klubi jemi shumë optimistë që mundemi me përmbysur rezultatin edhe me u kualifikuar. Mendoj që nëse e bëjmë lojën sikur lojën që e kemi bërë në Slloveni, vetëm na duhet pak të na ndihmojë fati edhe me qenë më cinikë te goli, e shpresoj që kemi me përmbysur rezultatin edhe me kaluar tutje”, theksoi Drilon Islami – Futbollist I Shkëndijës.

Ndeshja Shkëndija–Bravo luhet sonte me fillim nga ora 20:00, ndërsa fituesi do të sigurojë një vend në raundin e tretë eliminator të UEFA Conference League.