Të paktën 15 policë janë lënduaR të hënën në mbrëmje në qytetin Baltimor, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë protestave të dhunshme të cilat filluan pas ceremonisë së varrimit të 25 vjeçarit me ngjyrë, Fredi Grej, i cili vdiq nga plagët në kurriz që i kishte pësuar në rrethana të paqarta, gjatë kohës që ishte në paraburgim gjatë këtij muaji.
Me qindra të rinj dolën në rrugë duke u përleshur me forcat e policisë. Ata hodhën gurë, tulla dhe shishe në drejtim të policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë protestuesit.
Trazirat nisën pranë zonës ku u varros 25-vjeçari dhe me shpejtësi u përhapën nëpër pjesë të ndryshme të Baltimorit. Këto janë demonstratat më të dhunshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që prej ngjarjeve në Ferguson, Misuri, vitin e kaluar./21 MEDIA/
