Vetëm 18% e premtimeve qeveritare janë realizuar, “kompasi i premtimeve” tregon progres të dobët në sektorë kyç

TË FUNDIT

Pas dy vitesh, pothuajse gjysma e premtimeve të dhëna të Qeverisë kanë njëfarë progresi, por mesatarisht vetëm një në pesë premtime është realizuar plotësisht. Konkretisht, 18 për qind e premtimeve janë realizuar plotësisht, 30 për qind janë në drejtim të përmbushjes, 39 për qind nuk tregojnë progres, 6 për qind lëvizin në drejtim të kundërt. Këtë e tregoi raporti “Kompas i premtimeve”, i bërë nga Finance Think, në bashkëpunim me Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë dhe Forumin Arsimor Rinor.

“Në mënyrë konkrete, sektori i arsimit po përparon me dinamikë të fortë. Treguesit makroekonomikë dhe premtimet janë me një pamje të kënaqshme. Shëndetësia dhe politikat për të rinjtë shënojnë progres të moderuar, ndërsa politikat sociale mbeten sistematikisht prapa, dhe barazia gjinore për vitin e dytë me radhë nuk ka asnjë premtim të realizuar nga ato që janë dhënë”, tha Blagica Petreski nga Finance Think.

Te politikat rinore, janë realizuar 17 për qind e premtimeve, mes të cilave vauçerë për studentë dhe projekti “Bli shtëpi për të rinj”.

“Ne ndjekim 31 premtime, nga këto 31 premtime, gjatë këtyre dy viteve, pra saktësisht në gjysmën e mandatit, janë përmbushur katër premtime, pesë janë në drejtim të përmbushjes, ndërsa 22 nuk janë realizuar fare. Nga prerja e kaluar, janë përmbushur vetëm dy premtime shtesë të Qeverisë, ato janë premtimet për vauçer me vlerë 250 euro për pajisje elektronike për të gjithë studentët dhe operacionalizimi i projektit “Bli shtëpi për të rinj”, u shpreh Risto Saveski – Forumi Arsimor Rinor.

Në shëndetësi janë realizuar vetëm 13 për qind e premtimeve, ndërsa 71 për qind ende nuk kanë filluar.

“Nuk janë vërejtur rezultate të dukshme në disa fusha, siç është procesi i digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore, pastaj qasja në shërbimet shëndetësore specialistike, ulja e listës së pritjes, integrimi i niveleve të ndryshme të mbrojtjes shëndetësore, proceset reformuese të shëndetësisë primare që paralelisht duhet të zhvillohen me reformat e sistemit spitalor”, shtoi Kiril Soleski – Shoqata Mjekësore e Maqedonisë.

Raporti konkludon se do të jetë e vështirë që të gjitha premtimet të përmbushen deri në fund të mandatit dhe se prioritetet qeveritare jo gjithmonë përputhen me nevojat e qytetarëve. Gjithashtu, në raport thuhet se procesi eurointegrues i shtetit mbetet i bllokuar për shkak të ndryshimeve kushtetuese të pamiratuara.