Parlamenti Evropian miraton raportin për Maqedoninë! U refuzua amendamenti i Vajcit për protokollin e dytë me Bullgarinë

TË FUNDIT

Me 411 vota pro dhe 120 kundër, eurodeputetët miratuan versionin përfundimtar të Raportit për progresin e vendit, të përgatitur nga raportuesi për Maqedoninë Tomas Vajc.

Megjithatë, amendamenti 3 i propozuar nga Vajc u refuzua me 338 vota kundër, ndërsa për të votuan 126 deputetë.

Me të duhej të fshihej paragrafi 73 që përmend Protokollin e Dytë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Paragrafi 73 thotë se Komisioni Historik duhet të arrijë “rezultate të qarta dhe të prekshme” të bazuara në burime dhe dokumente historike objektive, autentike dhe të provuara.

Kryeministri Mickoski para votimit u bëri thirrje eurodeputetëve të mbështesin amendamentet me të cilat protokollet bilaterale nuk do të jenë pjesë e kornizës negociuese të BE-së.

“Nëse Evropa dëshiron të ruajë kredibilitetin e saj, duhet ta bëjë këtë dhe duhet ta korrigjojë atë padrejtësi që i është bërë Maqedonisë si shtet. Unë mendoj se kjo duhet të ndodhë dhe eurodeputetët duhet të mbështesin atë amendament në të cilin shënohen përfitimet dhe progresi, por edhe pjesa ku protokollet praktikisht nuk janë pjesë e kornizës negociuese që duhet të shënohet”, tha Mickoski.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për çështje evropiane BeKim Sali e përshëndeti debatin në Parlamentin Evropian për Raportin për Maqedoninë, duke vlerësuar se mesazhet e eurodeputetëve përfaqësojnë një konfirmim të fortë të perspektivës evropiane të vendit.

“Fakti që në Parlamentin Evropian njihet progresi i Maqedonisë së Veriut dhe theksohet mundësia që vendi të bëhet anëtarja e ardhshme e Bashkimit Evropian përfaqëson një inkurajim për të gjitha institucionet që të vazhdojnë me një ritëm edhe më të fortë reformash. Evropa e sheh Maqedoninë e Veriut si pjesë të familjes evropiane, dhe detyra jonë është përmes rezultateve ta justifikojmë atë besim”, u shpreh Bekim Sali.

Nga opozita LSDM, ndërkohë, thonë se Raporti i Parlamentit Evropian konfirmon se nuk ka reforma, nuk ka progres dhe se kryeministri Mickoski po e largon Maqedoninë nga Bashkimi Evropian.

“Mickoski nuk dëshiron anëtarësim në BE sepse ka frikë nga përgjegjësia. Nuk ka reforma, nuk ka progres, ka izolim. Prandaj zhvillohet fushatë antievropiane, prandaj me narrativë të rreme sulmohet LSDM për tradhti, vetëm për të penguar hyrjen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian”, thonë nga LSDM.

Gjatë debatit të djeshëm, raportuesi Vajc theksoi se pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, Maqedonia mund të jetë anëtarja e ardhshme e BE-së. Komisionerja evropiane Marta Kos tha se është koha që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Bashkimin Evropian dhe me këtë të korrigjohen gabimet e bëra në të kaluarën.

Përveç raportit për Maqedoninë, eurodeputetët miratuan edhe raportet për Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Kosovën.