Bie interesi për vaksinim, virusi Delta po përhapet shumë shpejt, është duke u afruar valë e re e epidemisë, kurse imuniteti kolektiv duket se është shumë larg. Si rezultat i kësaj, shumë vende në botë morën vendim që vaksinimi të jetë i detyrueshëm për profesione të caktuara, kurse ndërmarrin edhe masa kufizuese për popullatën e pavaksinuar, transmeton TV21.
Për shembull në Greqi, në diskotekat dhe klubet e natës do të mund të hyjnë vetëm ata që janë vaksinuar ose që e kanë kaluar virusin.
Udhëtarët që do të hyjnë në Slloveni nga 15 deri më 23 korrik, pa marrë parasysh nga cili vend vijnë, do të duhet të kenë test negativ, certifikatë për vaksinim ose certifikatë me të cilën do të dëshmojnë se e kanë kaluar Covid-19 në 6 muajt e fundit. Me qëllim që të vihet nën kontroll përhapja e korona vriusit, rritet numri i vendeve në Evropë dhe botë të cilat vendosin kufizime për qytetarët e pavaksinuar dhe kërkojnë certifikatë vaksinimi për qytetarët që duan të kenë qasje të plotë në shërbimet publike dhe hotelierike dhe të hyjnë në hapësirë të mbyllur.
Në Francë, Presidenti Makron hapi debat për vaksinim të detyrueshëm për të gjithë popullsinë, kurse Qeveria e Letonisë vendosi që vaksinimi të jetë i detyrueshëm për të punësuarit në arsim dhe shëndetësi.
Autoritetet spanjolle në disa rajone e rikthejnë orën policore, si dhe ndalesën për tubimet dhe jetën e natës.
Në Holandë, Austri dhe vende të tjera evropiane, sërish kthehen kufizimet për organizim të tubimeve më të mëdha./TV21
