Studimi: Shikimi i videove të shkurtra çaktivizon përkohësisht rrjetin e trurit për kontrollin kognitiv

TË FUNDIT

Platformat e videove të shkurtra, që bazohen në video të shpejta dhe tërheqëse, të cilat përdoruesit mund t’i shikojnë ose t’i kalojnë brenda vetëm pak sekondash, edhe pse për shumë njerëz ky format është thjesht argëtues dhe i padëmshëm, studiuesit janë gjithnjë e më të interesuar të zbulojnë pse disa përdorues hasin vështirësi kur duhet të ndalojnë së përdoruri këto platforma.

Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore NeuroImage, shikimi i videove të tilla çaktivizon përkohësisht rrjetin e kontrollit kognitiv në trurin e njeriut. Shkencëtarët arrijnë në përfundimin se shikimi i këtyre videove të shkurtra ul nevojën për monitorim aktiv dhe vetëkontroll. Kur përdoruesi zhytet në përmbajtje, rajonet e trurit përgjegjëse për rregullimin e sjelljes bëhen më pak aktive. Kjo ulje e kontrollit kognitiv është shpjegimi kryesor se pse njerëzit mund të kalojnë një kohë të gjatë duke ndjekur video pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për kohën që ka kaluar dhe pa qenë në gjendje ta ndërpresin lehtësisht aktivitetin.

Në rastin e videove që përdoruesit nuk i pëlqejnë, interesant është fakti se i njëjti efekt në tru nuk është vërejtur. Hulumtimi zbulon gjithashtu se ekziston një bazë e qartë biologjike për mënyrën se si njerëz të ndryshëm reagojnë ndaj kësaj përmbajtjeje. Studimi tregon se dallimet individuale në shkallën e çaktivizimit të rrjetit të trurit lidhen drejtpërdrejt me metabolizmin e glutamatit. Ky kimikat i trurit luan rol në mënyrën se si sistemi nervor përpunon informacionin, duke sugjeruar se përse disa përdorues janë më të prirur ndaj humbjes së vetëkontrollit gjatë përdorimit të këtyre platformave krahasuar me të tjerët.

Për përdoruesit, këto gjetje ofrojnë një kontekst të rëndësishëm për mënyrën se si ndërveprimi i përditshëm me mediat digjitale ndikon në sjelljen e tyre. Rezultatet tregojnë se vështirësia për ta mbyllur aplikacionin ka një bazë të qartë neurologjike, e nxitur nga formati i përmbajtjes dhe jo thjesht nga mungesa e vullnetit personal. Kuptimi i këtij reagimi biologjik mund t’i ndihmojë njerëzit të zhvillojnë një vetëdije më të madhe dhe një qasje më aktive ndaj zakoneve të tyre gjatë përdorimit të pajisjeve inteligjente.