Edhe sot kanë vazhduar me gërmimet në lokacionin e Kizhevak të Serbisë, për gjetjen e mbetjeve mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë kohës së luftës në Kosovë nga serbët. Kështu ka bërë të ditur për udhëheqësi i Zyrës në Komisionin qeveritar për të pagjeturit, Kushtrim Gara. Ai ka thënë se në këtë lokacion ka qenë të fokusuar për të gjetur varreza masive nga viti 2015, ku më pas edhe janë gjetur mbetjet e para mortore. Megjithatë, ai nuk ka dashur të japë detaje nga gjetjet e deritanishme për shkak të ndjeshmërisë për familjarët e personave të pagjetur. Gara ka thënë se Kizhevak është varreza e pestë masive në territorin e Serbisë, por ka edhe disa lokacione të tjera të cilat janë proceduar me kërkesë zyrtare për delegacionin e Serbisë dhe ndërkombëtarët që janë pjesë e këtij procesi, për të parë se si mund të vazhdohet për gërmimet në këto lokacione.
Departamenti i Krimeve të Luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd, më 18 nëntor, ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e një numri të paidentifikuar kufomash në një varrezë masive në Krizhevak të Komunës së Rashkës.
Kosova vazhdon t’i ketë mbi 1.600 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga periudha e luftës.
