Në Seminarin e Nëntë Ndërkombëtar të Albanologjisë në Tetovë morën pjesë albanologë nga vende të ndryshme evropiane. Në kuadër të seminarit kishte më tepër sesione tematike, si “Maqedonia një problem historik dhe aktual”, ”Kanunet Shqiptare”, ”Letërsia shqipe e krijuar në Maqedoni si pjesë integrale e letërsisë shqipe” si dhe “Prurjet leksikore,dialektore dhe krahinore në fushë të shqipes”.
“Ky seminar ndër vite ka trajtuar kontributin e albanologjisë nga jashtë për të studijuar gjuhën shqipe, letërsinë dhe kulturën, marrëdhëniet e gjuhës dhe letërsisë shqipe me gjuhë të tjera, lëtërsinë dhe kulturat e Europës dhe botës, historinë kombëtare shqiptare dhe marrëdhëniet me kombet fqinje dhe kulturat e tyre, veçanërisht për kultivimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të popullit. Rëndësia e këtij takimi shkencor është së ai kontribuon në masë të madhe për të shkëmbyer përvojat në mesin e studiuesve – pjesëmarësve të sëminarit, përmes komunikimit dhe debatit ku do të eliminohen mangësitë e mundimshme nga hulumtimet shkencore mbi këto çështje, me një qëllim pozitiv që shkencat e albanologjisë të përparojnë paralelelisht me shkencat tjera në shumë fusha”, theksoi Vullnet Ahmeti, rektor i USHT-së
Në këtë seminar ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve arsimore dhe kulturore të vendit. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës Behixhudin Shehapi informoi për mbështetjen që japin institucionet për botimet në gjuhën shqipe. “Në dikasteret ku jemi ne, prej 285 librave te botuara nga Ministria e Arsimit në programin vjetor në vitin 2015, gjithsej 72 libra dhe botime janë në gjuhen shqipe, prej ku vetëm 32 janë nga letersia dhe libra me përmbatje të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Andaj, në këte mënyrë, jo vetem këtë seminar, por në vazhdimësi edhe kreativitetin shqiptar dhe të punëtorëve shkencorë shqiptarë, do të vazhdojme ta mbeshtesim”, theksoi Shehapi.
Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi vlerësoi organizimin e seminarit, falë udhëheqësisë dhe stafit akademik, që ka ndërtuar një traditë solide dhe është një institucion i qëndrueshëm. Por, për të vazhduar të mbetet i tillë, duhet investuar më shumë. Ishte konstatim i përbashkët se shkenca, kultura dhe gjuha, në rrugëtimin shekullor të kombit shqiptar kanë qenë instrumente të domosdoshme dhe të patjetërsueshme të emancipimit kombëtar. “Duhet të zhvillohet në hap me trendet shkencore-globale, të cilët është shumë e vështirë të kapen në ditën e sotme, për shkak të përparimeve teknike dhe teknologjike dhe përparimeve të tjera. Seminari, megjithatë, e ka arritur qëndrueshmërine e vetë, tanimë duhet të sigurojnë infrastrukturën e domosdoshme që në mënyrë që rezultatet shkencore të albanologjisë, të mund të konsumohen nga shkenca globale. Në këtë aspekt padyshim se institucioni juaj do ta ketë mbështetjen e parezervë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë”, tha ministri Ademi.
Shkenca dhe kultura konceptualisht janë identitete të veçanta dhe të ndërthurura. Ndonëse studimet kronologjike dhe historike për shkencën dhe kulturën në botën shqiptare janë në një fazë empirike dhe jo shumë të zhvilluara, megjithatë vërehet një trend pozitiv për gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare, u tha në Seminarin e Nëntë të Albanologjisë në Tetovë.
Besian Leka
