Marrëveshja Kornizë e Ohrit – 25 vite më vonë, reaksione nga funksionarët shtetërorë dhe partitë

TË FUNDIT

Zyrtarët e lartë shtetërorë, por edhe partitë nga blloku shqiptar, dhanë pikëpamjet e tyre për 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas kryetarit të Kuvendit, kjo marrëveshje mbetet një shtyllë e rëndësishme e arkitekturës kushtetuese të shtetit tonë.

“Njëzet e pesë vjet më vonë, rëndësia e saj duhet parë përtej dallimeve politike dhe interpretimeve të përditshme. Marrëveshja e Ohrit mbetet një shtyllë e rëndësishme e arkitekturës kushtetuese dhe institucionale të shtetit tonë. Përgjegjësia jonë sot është të ndërtojmë mbi mësimet e saj dhe t’i shndërrojmë ato në standarde të qëndrueshme të demokracisë dhe bashkëjetesës”, tha Afrim Gashi – kryetar i Kuvendit.

Sipas kryeministrit Mickoski, këtij dokumenti duhet t’i qasemi me pjekuri, me respekt ndaj qëndrimeve të ndryshme që ekzistojnë në shoqëri dhe me përgjegjësi ndaj së ardhmes.

 “Jemi të vetëdijshëm se Marrëveshja Kornizë përjetohet dhe interpretohet ndryshe nga qytetarët. Historinë nuk duhet ta përshtatim me politikën ditore, dhe as të presim që të gjithë të kenë të njëjtin qëndrim ndaj ngjarjeve të së kaluarës. Por, detyrimi ynë është që nga e kaluara të nxjerrim mësime dhe të ndërtojmë një shtet ku dallimet nuk do të jenë shkak për ndarje, por një realitet të cilin e menaxhojmë me mençuri, përgjegjësi dhe në kuadër të institucioneve”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Nga BDI thonë se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk ishte vetëm themel i paqes dhe barazisë së brendshme, por edhe parakusht themelor për realizimin e përcaktimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut, para së gjithash anëtarësimin në NATO dhe BE. Shtojnë se rruga drejt Brukselit kalon përmes Ohrit, sepse nuk mund të ketë të ardhme evropiane pa barazi, demokraci funksionale, marrëdhënie të qëndrueshme ndëretnike dhe respektimin e marrëveshjeve mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti i vendit.

“Por, pikërisht në 25-vjetorin e saj, në vend që këto parime të konsolidohen më tej, po përballemi me një proces shqetësues të zhbërjes së tyre, njëra pas tjetrës. Në njërën anë, Gjykata Kushtetuese, e shndërruar gjithnjë e më shumë në një institucion parapolitik, përmes vendimeve të saj jokushtetuese po rrënon shtylla të rëndësishme të rendit të krijuar pas vitit 2001. Në anën tjetër, ajo që ende nuk është shfuqizuar dhe vazhdon të jetë në fuqi, shpërfillet ose nuk zbatohet nga institucionet”, thonë nga BDI.

Për deklaratën e BDI-së reaguan nga partia në pushtet VLEN. Theksojnë se edhe këtë vit në festim, siç shprehen ata, kanë mbledhur “kolltukofagët” e partisë, karrierat e të cilëve janë ndërtuar në emër të Marrëveshjes së Ohrit dhe në kurriz të shqiptarëve.

Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë private e BDI-së. Ajo është rezultat i sakrificës së një gjenerate të tërë. Por ajo që nisi si akt i ndërgjegjes kombëtare, BDI-ja e zhbëri, duke e kthyer në bankomat për pasurim personal. Marrëveshja e Ohrit u përket shqiptarëve. Nuk është tapi e Ali Ahmetit, as trashëgimi familjare e kolltukofagëve të BDI-së”, thonë nga VLEN.

Sipas kreut të LSDM-së, Venko Filipçe, Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një kujtesë se paqja, dialogu dhe kompromisi janë gjithmonë më të fuqishëm se konflikti, ndarjet dhe urrejtja. Siç shkroi ai, pas 25 vitesh, të gjithë kemi për detyrë ta ndërtojmë të ardhmen e Maqedonisë përmes bashkëjetesës, barazisë dhe respektit të ndërsjellë – dhe jo përmes ndarjeve, fyerjeve dhe urrejtjes.