Zjarri në pyllin mbi fshatin Gaber është përhapur në terren malor dhe të paarritshëm. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, situata pranë vendbanimeve është nën kontroll dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për banorët. Për shuarjen e zjarrit do të angazhohen tre avionë „Air Tractor“ dhe një avion i MPB-së. Zjarri po lëviz në drejtim të fshatit Vërzhallë, ndërsa ekipet në terren po e monitorojnë situatën.
“Në pyllin mbi fshatin Gaber zjarri është përhapur, por situata në drejtim të vendbanimeve të fshatit Gaber është nën kontroll dhe për momentin nuk paraqet rrezik për banorët. Për shkak se zjarri ndodhet në një terren malor dhe të paarritshëm, ku ndërhyrja nga toka është e vështirësuar, në këtë moment do të intervenojnë tre avionë „Air Tractor“ të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe një avion i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Zjarri po lëviz në drejtim të fshatit Vërzhale, për këtë arsye situata po monitorohet me shumë kujdes dhe ekipet janë në terren. Momentalisht jam në terren, së bashku me ekipet, dhe nga afër po e ndjek situatën. Qendra për Menaxhim me Kriza është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet dhe shërbimet kompetente, me qëllim që zjarri të vihet nën kontroll dhe të sigurohet mbrojtja e banorëve”, theksoi Muhamed Ali, drejtor i QMK.
