Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka mohuar se takimi me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka pasur për qëllim ndonjë përpjekje për përfshirjen e tij në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut përmes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së, shkruan TV21. Në një prononcim për TV21, Sela tha se takimi është zhvilluar me ftesë të Kurtit dhe se ai nuk është i interesuar për të qenë pjesë e Qeverisë.
“Për momentin nuk ia VLEN të bëhemi pjesë e Qeverisë”, deklaroi Sela, duke shtuar se partitë politike në Maqedoni duhet të “shërohen nga sëmundja e pushtetit” dhe të punojnë për qytetarët.
Sela tha gjithashtu se gjatë takimit ka folur për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, për të cilin shprehu kritika duke thënë se nuk garanton kuota etnike për shqiptarët. Ai tha se Kurtit ia ka dorëzuar edhe ligjin aktual, edhe propozimin e Lidhjes Shqiptare për krahasim.
