Biseda të fshehta për rrugën evropiane! Mucunski: Po punojmë për një zgjidhje të qëndrueshme

TË FUNDIT

Ende nuk zbulohen detaje nga bisedimet që po zhvillohen në fshehtësi dhe që kanë për qëllim zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, në një intervistë për MIA-n konfirmoi se Qeveria po zhvillon bisedime për tejkalimin e çështjeve të hapura që e mbajnë vendin jashtë dyerve të Bashkimit Evropian. Ai tha se ky proces ende duhet të zhvillohet në fshehtësi, por theksoi se edhe në këto bisedime janë vendosur vijat e kuqe.

“Ne nuk jemi të gatshëm për lëshime në çështjet që lidhen me identitetin, historinë, gjuhën dhe kulturën. Prandaj shpesh flasim për faktin se ka bisedime, por nuk guxojmë t’i ndajmë detajet e tyre me opinionin publik, sepse nëse fillojmë t’i publikojmë, atëherë i dënojmë ato me dështim. Po punojmë për një zgjidhje, por do ta përsëris – jo një zgjidhje me çdo kusht dhe jo një zgjidhje që vetvetiu nuk do të jetë e qëndrueshme dhe që do të krijojë rrezik që sërish të gjendemi në këtë situatë ku jemi tani”, theksoi Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme.

Mucunski e ka ftuar opozitën për më shumë konstruktivitet, si dhe për të dhënë mbështetje për çështjet që janë të rëndësishme për shtetin.

“A na duhet konsensus? Pa asnjë dilemë. Por këtu së pari opozita duhet të fillojë të jetojë brenda realitetit. E realiteti është se lëshimet e saj dhe mungesa e kapacitetit për t’i parë pasojat afatgjata të asaj që ndodhi në vitin 2021 dhe 2022 na sollën në këtë pozitë ku jemi tani”, u shpreh Mucunski.

Nga LSDM reaguan jo vetëm ndaj kritikave të drejtuara ndaj tyre, por edhe ndaj mënyrës së zhvillimit të negociatave.

“Nuk ekziston asnjë shtet në botë ku ministri i Punëve të Jashtme publikisht thotë se zhvillon bisedime për fatin e shtetit – por ato janë sekrete. Mucunski thotë se, ndryshe nga qeveria e kaluar, ata nuk bëjnë lëshime. Të rikujtojmë se Hristijan Mickoski e quajti Marrëveshjen e Prespës një kryevepër të diplomacisë. Gordana Siljanovska Davkova deklaroi se identiteti kombëtar, gjuha dhe kultura janë plotësisht të mbrojtura dhe të tejkaluara si çështje”, thonë nga LSDM.

Se po zhvillohen bisedime “nën radar” për një zgjidhje dhe për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, së fundmi e konfirmoi edhe euroambasadori Mihalis Rokas. Deklarata e tij erdhi menjëherë pas vizitës së eurokomisares Marta Kos në vend, e cila theksoi se hapi i domosdoshëm i radhës për fillimin formal të negociatave të anëtarësimit janë ndryshimet kushtetuese.