Qendra për Punë Sociale ka marrë masa për largimin e një gruaje dhe tre fëmijëve të saj nga shtëpia familjare në Hasanbeg, pas një rasti të trajtuar me dyshime për dhunë në familje.
Dokumenti zyrtar i siguruara nga TV21 tregon se, pas shqyrtimit të rastit, Qendra për Punë Sociale i ka propozuar Gjykatës vendosjen e masave mbrojtëse.
Gjykata Themelore Civile në Shkup e ka pranuar kërkesën dhe ka vendosur masa ndaj Semi Kadrit, të cilat do të vlejnë për 12 muaj.
QENDRA PËR PUNË SOCIALE:
“Gjykata Themelore Civile Shkup, ka miratuar propozimin e Qendrës për Punë Sociale të Qytetit të Shkupit dhe ndaj personit Semi Kadri ka shqiptuar masa të përkohshme për mbrojtje nga dhuna në familje. Masat e shqiptuara vlejnë për një periudhë prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh”
Pavarësisht vendimit të institucioneve, Semi Kadri pretendon se nuk ka ushtruar asnjëherë dhunë ndaj bashkëshortes dhe se prej 50 ditësh nuk ka pasur asnjë kontakt me gruan dhe tre fëmijët. Ai kërkon të dijë arsyet pse nuk i lejohet t’i takojë ata.
“U bënë 50 ditë unë asgjë nuk di, as ku janë fëmijët, ku është shoqja. Unë me gruan nuk kam pasur asgjë, këta e kanë shtyrë gruan të thotë gjithçka për mua. Ama unë dua të del e vërteta, këto nuk duan të më takojnë me shoqen, se e dinë se ajo do të pajtohet do e tërheq deklaratën. Unë nuk kam përdorur asnjë herë dhunë ndaj shoqes, të garantoj se nuk ka asnjë gjë se po të kisha përdorë forcë sot isha në burg”, u shpreh Kadri.
Në përgjigjen me shkrim drejtuar Kadrit, lidhur me pretendimet e tij se nuk ka marrë informacione të qarta për të drejtat prindërore, Qendra për Punë Sociale e ka ftuar atë në takim të mërkurën, më 06.08.2026, në ambientet e institucionit.
Nga Qendra për punë sociale thonë se kanë vepruar në përputhje me ligjin. Ata nuk bëjnë të ditur vend ndodhjen e gruas me tre fëmijët, siç thonë për çështje sigurie.
QENDRA PËR PUNË SOCIALE:
“Rasti është denocuar fillimisht në polici nga një thirrje anonime dhe MPB na ka informuar dhe neve. Duke qenë se bëhej fjalë për një grua me tre fëmijë të vegjël, ne kemi ndërmarr masa për mbrojtjen e saj në përputhje me Ligjin për mbrojtje sociale, deri në pritje të fillimit të procesit gjyqësor për divorc.
Kadri pretendon se denoncimi nuk ka ardhur nga brenda familjes. 26-vjeçari thotë se atë natë u shoqërua në polici, por siç shtoi, u lirua menjëherë me që nuk ishin konstatuar shenja të dhunës fizike ndaj bashkëshortes. Ndryshe, raste të tilla të denoncimeve janë shtuar në 6 muajt e parë të këtij viti në vend. Vetëm më 13 korrik u raportuan 9 raste brenda 24 orëve, me 7 persona të arrestuar. Sipas raportit vjetor të MPB-së për vitin 2025, janë evidentuar: 1.195 raste të dhunës në familje.
