Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara kanë dështuar që të autorizojnë kalimin e anijeve të reja, përmes marrëveshjes për eksporte nga Deti i Zi që mundëson transportin e sigurt të drithërave ukrainase.
Moska sërish ka kërcënuar se do të largohet nga marrëveshja më 18 maj nëse pengesat që ekzistojnë për transportin e drithërave të saj nuk hiqen.
Megjithatë, zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, u tha gazetarëve më 5 maj se inspektimet ditore të anijeve, që ishin autorizuar më herët të transportonin mallra, po vazhdojnë.
Zyrtarët nga të gjitha palët e përfshira në këtë marrëveshje janë pjesë e Qendrës së Përbashkët të Koordinimit që gjendet në Stamboll, e që zbaton marrëveshjen për drithërat që u arrit korrikun e vitit të kaluar.
Sipas një letre që ka parë Reuters, muajin e kaluar Rusia u tha përfaqësuesve të kësaj qendre koordinuese se nuk do të autorizojë kalimin e asnjë anijeje të re, nëse operatorët nuk garantojnë që transiti do të bëhet deri më 18 maj, “në datën kur pritet të mbyllet” rruga e sigurt për drithërat ukrainase.
