Spanja siguron grant për objektet “e harruara” të USHQM-së! 250 mijë euro për objektin e fakultetit për shkenca kompjuterike dhe atë të edukimit fizik

TË FUNDIT

Spanja ka siguruar një grant prej 250 mijë eurosh për përgatitjen e investimit për vazhdimin e ndërtimit të objekteve të Fakultetit për shkenca kompjuterike dhe Fakultetit të Edukimit Fizik në Shkup, përcjell TV21. Mjetet janë të dedikuara për asistencë teknike, përgatitjen e dokumentacionit dhe realizimin fillestar, dhe jo drejtpërdrejt për punimet ndërtimore. Ndërtimi i dy objekteve nisi në vitin 2015, por u ndërpre në vitin 2019, duke i lënë objektet në fazën e karabinës.

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në objektin e Fakultetit për shkenca kompjuterike janë realizuar rreth 14 për qind e punimeve, ndërsa në Fakultetin e Edukimit Fizik rreth 16,8 për qind. Ndërkohë, projektet janë rishikuar dhe janë ndërmarrë hapa për tejkalimin e pengesave administrative dhe teknike. Ministria njoftoi në mars se procesi për vazhdimin e ndërtimit është zhbllokuar, ndërsa Qeveria paralajmëroi investim prej rreth dy miliardë denarësh. Granti spanjoll, i siguruar përmes Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, pritet të ndihmojë në fazën përgatitore të projektit.