Rasti “Lotaria”, Përparim Bajrami thotë se është i pafajshëm

TË FUNDIT

Ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, deklaroi se nuk ndihet fajtor për rastin “Lotaria Shtetërore”, në seancën e sotme në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, përcjell TV21. Në gjykimin që nisi javën e kaluar, të gjithë të akuzuarit u deklaruan se nuk ndihen fajtorë, përveç Bajramit, i cili në seancën e parë ende ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, dhe të akuzuarit Bashkim Avdiu, i cili deklaroi se nuk e kupton akuzën që i vihet në barrë dhe kërkoi që ajo t’i dorëzohet me shkrim në gjuhën e tij amtare, shqipe.

Në seancën e sotme, edhe i akuzuari Avdiu deklaroi se nuk ndihet fajtor. Bajrami, ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadani, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu akuzohen se kanë tejkaluar autorizimet zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm “Lotarisë Shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarësh.

Pasi u arratis nga vendi, për Bajramin u shpall fletarrestim ndërkombëtar. Më 9 shtator, ai u dorëzua vetë në pikën kufitare Bllacë, pas së cilës u dërgua në burgun e Shkupit për vuajtjen e masës së paraburgimit të caktuar më herët. Më herët, në arrati ishte edhe ish-zëvendëskryeministri Grubi, i cili iu dorëzua organeve të ndjekjes në shkurt të këtij viti, pas një viti në arrati. Aktakuzën për këtë rast e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ndërsa procesin e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski.