RRITET REJTINGU KREDITOR I MAQEDONISË SË VERIUT, PËR HERË TË PARË PAS 13 VITESH

TË FUNDIT

Për herë të parë pas 13 vitesh Agjencia FIÇ e ka rritur rejtingun kreditor të Maqedonisë së Veriut nga BB në BB+. I gëzuar, këtë lajm doli dhe e kumtoi vetë Ministri i Financave Dragan Tevdovski. Tha se ky rejting është arritje e madhe për vendin dhe se do të ndikojë në vendimet e investitorëve ndërkombëtarë për të investuar në vend.

“Duke qenë se tani rejtingu ynë kreditor është rritur kjo do me thënë se do të ndikojë pozitivisht në vendimet e tyre për të investuar në vendin tonë. Kjo do me thënë se mund të presim investime më të mëdha, që do të hapin më shumë vende pune, do ta rrisë punësimin, do të rritet eksporti, do të kemi rritje më të madhe ekonomike e kjo direkt do të ndikojë në standardin jetësor të qytetarëve”, u shpreh Ministri i Financave, Dragan Tevdovski.

Përveç kësaj, nga ana tjetër ky rejtingn do të zvogëlojë harxhimet për borxhin e shtetit me çka në të ardhmen mund të pritet kursim në kamata tha Tevdovski. Këshilltari Rilind Kabashi tregoi se FIÇ ka theksuar se pikërisht situata e përmirësuar politike dhe përparimi në reforma janë bazë për rimëkëmbjen ekonomike.

“Gjithashtu vërejmë se baza e rritjes është e gjerë, ku përskaj konsumit personal solid, këtu është edhe rimëkëmbja e investimeve vendore. E komenton edhe tregun e punës, rënien e papunësisë. Në pjesën e politikave fiskale FIÇ gjithashtu pret deficit buxhetor thuajse të ngjashëm me atë të Ministrisë së Financave për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Projeksionet për borxhin publik janë po ashtu në një vijë që tregon se Ministria dhe Qeveria e bazojnë politikën e tyre në projeksione reale”, tha Rilind Kabashi, këshilltar i Ministrit të Financave.

E derisa pushteti lëvdohet për arritje të këtilla, nga VMRO-DPMNE kritikojnë për politikat ekonomike dhe financiare. Thonë se nuk mund të mbushet buxheti i shtetit me gënjeshtrat e Zaevit dhe Tevdovskit se Maqedonia po shëndrit. Mbi 500 mijë qytetarë jetojnë nën pragun e varfërisë, ndërsa ditën e kalojnë me një vakt ushqim alarmojnë nga partia e Mickoskit. “Borxhi rritet, ekonomia është në gjendje katastrofike, realizimi i investimeve kapitale për katër muajt e parë të 2019-tës janë nën 10 për qind” shkruajnë nga VMRO-DPMNE-ja.

Përgatiti: Besir Arifi