Rreth 100.000 euro gjoba për ngjarjet e 13 prillit në Hasanbeg

TË FUNDIT

Prokuroria Themelore e Shkupit deri tek Gjykata Themelore në Shkup ka dërguar propozimin për gjobitjen e 23 personave të identifikuar në protestën në Hasanbeg mbrëmjen e 13 prillit e që e shkelën orën policore, raporton TV21. Vepra penale në bazë të së cilës është kërkuar dënimi është Mosveprim sipas rregullave shëndetësore në kohë epidemie nga neni 206 pika 1 e Kodit Penal.

“Prokurori i ka propozuar Gjykatës që secilit të dënuar t’i shqiptohet gjobë prej 100 gjobave ditore, ndërsa vlera e secilës gjobë ditore të jetë 35 euro në kundërvlerë denari” shkruajnë nga Prokuroria e Shkupit.

Paraprakisht për po të njejtën ngjarje në Hasanbeg, Prokuroria propozoi gjobitjen e 3 personave me nga 100 gjoba ditore në vlerë prej jetë 50 euro. Gjykata Themelore e Shkupit duke vepruar sipas këtij propozimi 3 të akuzuarit i gjobiti me nga 5 mijë euro secilin. Nëse kësaj i shtohet edhe propozimi i sotëm për gjobitjen e 23 protestuesve me nga 3500 euro secili, në total shifra që do të duhet të paguajnë 26 të akuzuarit është 95 500 euro./TV21