Rikonstruktimi i rrugës së butikëve në Tetovë, Komuna do ta nisë më 15 gusht, banorët kërkojnë që të bëhet pas sezonit

TË FUNDIT

Kjo është rruga e butikëve në Tetovë. Për rikonstruktimin e saj, në 2019-tën komuna fitoi mjete përmes projektit të programit IPA. Pandemia dhe kriza që pasoi, e vonoi rregullimin e kësaj rruge 420 metra të gjatë. Më pas u dhanë afate të tjera, por edhe ato u shtynë, si ai i vitit 2022 kur kryetari i Komunës Bilall Kasami nënshkroi me ish-ministrin e Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov. Tash Kasami, thotë se punimet do të fillojnë me 15 gusht.

“Në rrugën e butiqeve është dashur të fillojnë punimet, por me kërkesë të banorëve të zonës, për shkak të përvojave më të hershme që nuk realizoheshin punimet në kohë, kërkuan që punimet të nisin pas largimit të mërgimtarëve dhe dakordimi është pas 15 gushtit të fillojnë punimet dhe besoj në afat rekord para fillimit të dimrit të përmbylljen gjithë punimet”, tha Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.

TV21 gjatë ditës ishte te rruga e butikëve, e njohur për dyqanet me fustane dhe veshje tradicionale që blihen për dasma, që e bën shumë të frekuentuar gjatë sezonit të verës. Mendimet se kur duhet të nisë rikonstruktimi janë të ndara.

“Duhet të nise pa ardhur kurbetçarët, jo pasi vinë ata, me e nis tani e prishin të gjithë rendin”, tha një qytetar.

“Unë dhe pse nuk jam në këtë rrugë, ne jetojmë gjithë së bashku këtu, mendoj se nuk është koha e duhur 15 gushti. Mendoj se 1 shtatori do të ishte koha e duhur, se duhet të bëhet duhet të ketë pak më mirë, mbi të gjitha duhet të pyeten njerëzit që kanë lokale këtu, paguajnë qira të mëdha dhe çdokush ka investuar tash që të punojë dhe do të ishte mirë mos nisë më 15 gusht, po komuna ndoshta e di më mirë, i ka analizua punët e veta dhe në bazë të atyre do niset të punohet”, u shpreh një tjetër qytetar.

“Shikoni sezon nuk ka çdo gjë që punohet është mirë, më mirë të bëhet një ditë e më parë, sesa të ngelet pa bërë, sezon nuk ka, mirë është të bëhet diçka”, tha një tjetër qytetar.

Me projektin e paraparë, pritet që të ruhet identiteti dhe autenticiteti i Rrugës së Butikëve apo i Çarshisë së Epërme. Kjo rrugë në të kaluarën ishte shumë e njohur dhe e frekuentuar nga qytetarët për shkak të artizanëve që gjendeshin këtu, ndërsa sot bizneset që këtu nuk kanë punë siç kishin dikur.