“Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, kurdo që të mbahen”, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, por, siç përsëriti, nuk do të bëhen alibi për Mickoskin. Filipçe theksoi se zgjedhjet do të zhvillohen në momentin kur pushtetit t’i mbarojnë paratë.
“Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, edhe sikur të mbahen nesër. Për nesër jemi të gatshëm, me ekipin dhe programin, me Masterplanin për Maqedoninë dhe me Marrëveshjen me qytetarët, të cilat do t’i prezantoj gjatë shtatorit. Por nuk do të jemi alibi. Hristijan Mickoski ka dy të tretat në Kuvend, ka pushtet absolut, mund të shpallë zgjedhje kur të dojë. Pse i duhet tani LSDM-ja? Pse i duhet? Ne nuk do të hyjmë në këtë lojë. Ai do të shpallë zgjedhje kur të mos ketë më para, ndërsa paratë po pakësohen gjithnjë e më shumë”, tha Filipçe.
Nga VMRO-DPMNE-ja u përgjigjën se opozitës, LSDM-së, i është e qartë se cili do të jetë epilogu i zgjedhjeve dhe për këtë arsye po u ikën atyre.
“I vetmi person në shtet që nuk dëshiron zgjedhje dhe u ikën atyre është Venko Filipçe dhe llumi i LSDM-së. Nga hëna shihet qartë se edhe atij, edhe llumit, u është e qartë se çfarë debakli do të pësojnë dhe se si do të mposhten nga qytetarët”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Temën e zgjedhjeve të parakohshme javën e kaluar e hapi kryeministri Mickoski, i cili tha se, nëse opozita mendon se nevojiten zgjedhje të parakohshme, do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj kërkese dhe se do të fitojnë.
PRO zgjedhje të parakohshme janë shprehur edhe nga BDI-ja dhe Levica. Nga VLEN thonë se realizimi i projekteve është më i rëndësishëm sesa zgjedhjet e parakohshme.
