Rezultati negativ! Udhëtari nga Milano nuk është i infektuar me virusin korona

TË FUNDIT

Qytetari që pasditen e sotme erdhi nga Milanoja në Shkup nuk është i infektuar me virusin korona. Këtë e bëjnë të ditur nga Klinika Infektive në kryeqytet ku në orën 22 u pranua qytetari që kishte shfaqur simptome të gripit.

“Informojmë se rezultatet për koronavirusin janë negative tek pacienti që sonte iu bënë testet në Klinikën Infektive në Shkup” shkruajnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ishte po Ministria e Shëndetësisë që përmes një kumtese të jashtëzakonshme pak para mesnatës informoi për rastin e dyshimtë. Siç shkruanin qytetari në aeroport ka kaluar në kamera termale por e njejta nuk ka kapur simptome të sëmundjes, raporton TV21. Megjithatë me të arritur në shtëpi, ai ka ndjerë simptome që e kanë bërë t’i drejtohet klinikës infektive për ndihmë. Me t’u pranuar në klinikë, ai është izoluar dhe iu nënshtruar testeve që rezultuan negative, pra personi nuk është prekur nga virusi.

Nga Ministria e Shëndetësisë në kumesën e fundit shkruajnë se me vëmendje po e ndjekin situatën duke vepruar sipas sugjerimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nga sot Ministria e Shëndetësisë e ka ngritur shkallën e gatishmërisë në nivelin më të lartë, thonë nga atje. Është formuar shtabi i krizës në kuadër të MSH ndërsa në fuqi kanë hyrë edhe masat e përforcuara për ndërhyrje dhe parandalim në rast se do të ketë të prekur nga virusi korona.