Raporte: BE-ja rrezikohet nga mungesa e gazit gjatë dimrit, mund të kufizohet konsumi

TË FUNDIT

Bashkimi Evropian mund të përballet me mungesë deri në 14 miliardë metra kub gaz natyror këtë dimër, që përbën rreth 7 për qind të kërkesës së bllokut dhe sasi të mjaftueshme energjie për 10 deri në 12 milionë amvisëri. Paralajmërimi vjen nga Instituti për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare (IEEFA) dhe Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit të Gazit (ENTSOG).

Mungesa e mundshme mund të çojë në rritje të mëtejshme të faturave të energjisë dhe në masa për kufizimin e konsumit, nëse BE-ja nuk siguron sasi shtesë në tregun global, i cili tashmë është nën presion për shkak të luftës në Iran dhe ndërprerjeve të furnizimit me energji, raporton “Politico”.

Rezervat e gazit në BE kanë rënë në pak mbi 70 për qind të kapacitetit, niveli më i ulët për këtë periudhë të vitit që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2011.

Sipas raportit të IEEFA-s, çmimet e larta kanë nxitur tregtarët ta shesin gazin gjatë verës, në vend që ta ruajnë për konsum gjatë dimrit.

Evropa ka mundësi të kufizuara për të siguruar furnizime shtesë, ndërsa çmimet e gazit kanë arritur nivelin më të lartë në gati katër vjet dhe furnizimi është kufizuar nga lufta në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, mungesa e paralajmëruar nuk do të thotë domosdoshmërisht se BE-ja do të mbetet pa gaz, por rezervat e akumuluara mund të jenë shtatë miliardë metra kub më të ulëta se sasia e nevojshme.

Kjo do t’i detyronte vendet të blejnë gaz me çmime të larta në tregun global ose të kufizojnë konsumin, nëse nuk sigurohen furnizime shtesë. Për t’i rikthyer rezervat në nivelin prej 30 për qind deri në fund të dimrit dhe për të zvogëluar rrezikun nga valët e ardhshme të të ftohtit, vendet evropiane do të duhet të ulin konsumin ose të kufizojnë furnizimin me sasi të barasvlershme me 7 për qind të kërkesës, thuhet në raport.