Raphinha, Pedri, Garcia, De Jong dhe Yamal – 5 kapitenët e Barcelonës

TË FUNDIT

Të premten, te Barcelona u përcaktuan pesë kapitenët që do të drejtojnë skuadrën në fushë gjatë sezonit 2026/27. Në krahasim me vitin e kaluar, procesi solli disa ndryshime, me hyrje të reja në hierarki, rënie të meritave për disa futbollistë, si dhe largimin e disa emrave me peshë.

Sipas raportimeve të „Mundo Deportivo“ dhe „AS“, risia e madhe është se dy prej kapitenëve nuk iu nënshtruan votimit, por u zgjodhën drejtpërdrejt nga trajneri Hansi Flick. Bëhet fjalë për Raphinhan dhe Pedrin, të cilët do të jenë dy kapitenët e parë të skuadrës.

Tre kapitenët e tjerë iu nënshtruan votimit nga futbollistët, pasi fillimisht duhej të prezantoheshin si kandidatë. Në fund, të zgjedhurit nga grupi ishin Eric Garcia, Frenkie De Jong dhe Lamine Yamal.

Në këtë listë bie në sy prania e një emri të ri, ndërsa vëmendje tërheq edhe rënia në hierarki e mesfushorit holandez Frenkie De Jong, i cili kalon nga kapiteni i dytë sezonin e kaluar në kapitenin e katërt këtë sezon.

Raphinha dhe Pedri ishin kandidatë për kapitenë edhe sezonin e kaluar, ndërsa prania e Eric Garcias në këtë pesëshe konsiderohej praktikisht e sigurt, për shkak të lidershipit dhe autoritetit që gëzon brenda grupit.

Jashtë pesëshes së kapitenëve mbeti Gavi, i cili shihej si një prej favoritëve për të qenë pjesë e kësaj hierarkie. Megjithatë, futbollisti që ka humbur më shumë terren është pikërisht De Jong, i cili në një kohë të shkurtër ka zbritur dy pozita në hierarki.

Dyshimet e krijuara rreth dëmtimit të tij në gjurin e djathtë, me mundësinë që t’i nënshtrohet një operacioni, duket se nuk e ndihmuan në procesin e votimit për shiritin e kapitenit.

Një tjetër mungesë e rëndësishme, në krahasim me sezonin e kaluar, është Ronald Araujo, i cili ishte shpallur një prej kapitenëve të skuadrës pas largimit të Marc-André ter Stegen. Transferimi i tij te Liverpooli i hapi rrugën një grupi të ri futbollistësh për të marrë shiritin e kapitenit.