“Qiti paret Kryeministër”, ​Qeveria Kurti tregon se kur ekzekutohet shpërblimi prej 500,000 € për Dardanët

TË FUNDIT

Para ndeshjes me Sllovakinë në kuadër të kualifikimit për Kampionat Botëror, qeveria e Kosovës premtoi 500,000 euro shpërblim për Përfaqësuesen e Kosovës, në rast se e njëjtë shënon fitore. Kosova shënoi fitore me rezultat 4:3, ndërsa të shumta ishin reagimet për shpërblimin e premtuar.

Mes tjerash, nga Sllovakia kryetari i Prishtinës, Përparim Rama publikoi një fotografi nga stadiumi, ku shihej edhe kryediplomati Glauk Konjufca, kryetari i Mitrovicës Faton Peci dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci, e në mbishkrim të fotos, shkroi “Qiti paret Kryeministër”.

Nuk vonoi përgjigja e Qeverisë së Kosovës, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur se Qeveria do të procedojë me vendimin për ndarjen 500 mijë euro për “Dardanët”.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, ai theksoi se, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, vendimi për ndarjen e 500 mijë eurove do të jetë gati për miratim në mbledhjen e radhës së Qeverisë, të hënën.

“Me kërkesë të Kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500k euro për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të Qeverisë.”, ka shkruar Murati.

Ky shpërblim vjen si vlerësim për suksesin e madh të Kombëtares së Kosovës, e cila me fitoren e fundit ka bërë një hap të rëndësishëm drejt objektivave historike në arenën ndërkombëtare.

Në finale, e cila do të zhvillohet të martën, Kosova do të ballafaqohet me Truqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.