Zjarri në Pelister vazhdon të jetë më i vështiri dhe më kompleks për t’u shuar në vend, ndërsa në përpjekjet për shuarjen e tij janë përfshirë forca tokësore, mekanizëm, një helikopter i ushtrisë dhe aerotraktorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, njoftoi drejtori Stojançe Angelov.
Në të njëjtën kohë, ai mohoi raportimet e disa mediave se janë lënduar dy zjarrfikës.
“Deri tani nuk është lënduar asnjë zjarrfikës. Nuk është e vërtetë lajmi që është publikuar në disa portale se ka dy zjarrfikës të lënduar – nuk kemi asnjë zjarrfikës të lënduar dhe as zjarrfikës që ka thithur tym. Të gjithë zjarrfikësit janë mirë dhe vazhdojnë luftën kundër kësaj force të zjarrit”, theksoi Angelov.
Angelov tha se dje janë regjistruar më shumë se 30 zjarre, ndërsa reshjet e shiut në pjesët lindore të vendit vetëm në mënyrë të parëndësishme e kanë lehtësuar situatën.
“Shiu që ra dje pasdite në pjesët lindore të vendit e lehtësoi punën tonë, por vetëm në mënyrë të parëndësishme. Fatkeqësisht, në pjesët e tjera të vendit kemi disa zjarre të vështira për t’u shuar, më shumë se 30 zjarre gjatë ditës së djeshme. Edhe më tej, zjarri më i vështirë dhe më kompleks për t’u shuar është ai që shpërtheu dje pasdite në anën e Prespës të Pelisterit – zjarr që po lëviz në drejtim të Parkut Kombëtar ‘Pelister’”, deklaroi Angelov.
Ai shtoi se menjëherë pas shpërthimit të zjarrit kanë reaguar njësitë e zjarrfikësve nga Resnja dhe Manastiri, pas së cilës janë mobilizuar edhe resurset e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Angelov tha se herët në mëngjes ka nisur të veprojë edhe një helikopter i ushtrisë me kovë me kapacitet prej 3 tonësh, i cili me hedhje të saktë të ujit arriti të shuajë disa pika kritike. Megjithatë, me rritjen e temperaturave gjatë ditës, përsëri janë shfaqur vatra zjarri dhe tym në disa zona.
“Për momentin po veprojnë aerotraktorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në mbështetje të zjarrfikësve nga Manastiri dhe Resnja, ekipet e zjarrfikësve të përbëra nga vullnetarë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe disa automjete ‘Pinzgauer’ që po veprojnë në këtë zonë”, tha drejtori i DMSH-së, Angelov.
