Tym i zi mbi Vodno, autobusi dykatësh i NPQ-së përfshihet nga flakët, nuk ka të lënduar

TË FUNDIT

Një tym i dendur i zi u ngrit mëngjesin e sotëm mbi Vodno, pasi në pikën panoramike të Vodnos së Mesme mori flakë një autobus dykatësh i NQP-Shkup. Bëhet fjalë për autobusin e linjës 25, i cili qarkullon deri në Vodnon e Mesme.

Zjarri u konfirmua nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, i cili informoi se zjarrfikësit e Shkupit kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e autobusit.

“Për momentin, në pikën panoramike të Vodnos është përfshirë nga zjarri një autobus dykatësh i NQP-së. Për momentin nuk ekziston rrezik që zjarri të përhapet drejt vegjetacionit përreth”, deklaroi Angelov.

Sipas informacioneve të para nga drejtori i NQP-së, Sashe Ilievski, në momentin kur shpërtheu zjarri nuk kishte pasagjerë në autobus, ndaj për momentin nuk raportohet për persona të lënduar.

Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur. Shërbimet kompetente pritet të përcaktojnë se si ka ardhur deri te shpërthimi i zjarrit.

Incidenti ka ndodhur në pikën panoramike të Vodnos dhe, sipas autoriteteve, për momentin nuk ekziston rrezik që zjarri të përhapet në vegjetacionin përreth.