Qendra e Kulturës në Tetovë në gjendje të amortizuar! Rinovime të pjesshme, probleme të vazhdueshme në objekt

TË FUNDIT

Një pjesë e perdeve në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë në Tetovë nuk janë funksionale dhe aktualisht janë hequr nga përdorimi. Sipas autoriteteve të institucionit, përdorimi i tyre mund të paraqesë rrezik për aktorët dhe pjesëmarrësit në skenë, për shkak të gjendjes së amortizuar të sistemit.

Drejtoresha e Qendrës për Kulturë, Njomza Ismaili, thotë se problemi lidhet me vjetërsinë e objektit dhe mungesën e kompanive të licencuara në Maqedoninë e Veriut që mund të ndërhyjnë për riparimin e tyre. Ajo shton se institucioni është në pritje të ndërhyrjes nga Ministria e Kulturës për gjetjen e një kompanie të specializuar, në mënyrë që perdet të rikthehen sërish në funksion dhe salla të përdoret plotësisht për aktivitete kulturore.

 “Ka një pjesë brenda sallës e cila na brengos që ditën që kam ardhur unë si drejtoreshë, po edhe udhëheqësit tjerë paraprakë, por e cila kërkon një procedurë shumë më të vështirë sepse asnjë firmë në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk i plotëson ato kushte për ndërhyrje në atë sistem manual të cilin e posedon salla jonë. Dhe tani jemi në koordinim me Ministrinë e Kulturës, që ndoshta ato si ministri të gjejnë një firmë tjetër nga shtetet e jashtme, e cila i posedon të gjitha licencat për të kryer ndërhyrjet të cilat duhet bërë në Pallatin e Kulturës. Flitet për ato pjesët ku varen perdet, e cila paraqet edhe rrezikshmëri. Ndërsa ne, për t’i tejkaluar rrezikshmëritë, i kemi nxjerrë jashtë funksionit pjesët që janë të dyshimta se mund të krijojnë ndonjë aksident eventual”, tha Njomza Ismaili – drejtoresh e Qendrës për Kulturë Tetovë.

Çatia e Qendrës për Kulturë në Tetovë është riparuar në dy faza, ku një pjesë e punimeve është realizuar nga ish-udhëheqësia e institucionit, ndërsa pjesa tjetër nga drejtoria aktuale, e udhëhequr nga Njomza Ismaili. Megjithatë, sipas të dhënave nga institucioni, reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar dëmtime në një pjesë të objektit, duke rikthyer problemet në disa sektorë të ndërtesës kulturore.

 “Një pjesë udhëheqësia e kaluar është rregulluar, domethënë është rregulluar ajo kupola e Pallatit të Kulturës, e cila në sallë ka pasur rrjedhje të pikave të shiut, tani më nuk ekziston, është rregulluar më herët. Me ardhjen time kemi pasur edhe disa, domethënë diku te tre intervenime në pjesët anësore të kulmit, ku kishim përsëri raste të rrjedhjes. Dhe tani mendojmë se jemi deri diku pastër, por ato rrjedhjet e shiut na kanë shkaktuar dëme të tjera, të cilat përsëri tani kërkojnë intervenime. Siç është pjesa e hollit lart ku është me tepih ajo pjesë, tani ajo është më… nga shiu është amortizuar dhe duhet të bëjmë një ndërhyrje. Këtu kemi kërkuar ofertat në disa firma, mendojmë që të shtrohet me një pjesë më të fortë edhe më të qëndrueshme për më shumë vite”, u shpreh Njomza Ismaili – drejtoresh e Qendrës për Kulturë Tetovë.

Në Qendrën për Kulturë në Tetovë funksionojnë disa institucione, përfshirë Bibliotekën e qytetit dhe Teatrin e Tetovës. Në këtë objekt janë të vendosura edhe shoqëritë kulturo-artistike.

Ndërtesa e Qendrës për Kulturë ka nisur të ndërtohet në vitin 1973 dhe është vënë në përdorim në vitin 1975. Që nga ajo kohë e deri më sot, vetëm një pjesë e vogël e objektit ka kaluar në proces rinovimi.