Propozimi francez lëkundë Qeverinë ! Nëse pranohet, disa parti do ta braktisin shumicën

TË FUNDIT

Propozimi francez për zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë si duket do të lëkundë edhe Qeverinë e vendit tonë. Kreu i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov deklaroi se do ta tërheqin mbështetjen ndaj Qeverisë në rast se propozimi francez bëhet pjesë e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

“Kërkojmë që të gjithë ata që kanë qenë të kyçur, posaçërisht ministrat për Punë të Jashtme dhe për Çështje Evropiane të rishqyrtohen ose eventualisht të japin dorëheqje. Vlerësojmë se këtë disfatë që po e përjeton Maqedonia është rezultat i negociatave të tyre dhe i grupeve të tyre me të cilët ato udhëheqin. Ato kanë negociuar me Bullgarinë, ato kanë dhënë pëlqim edhe për propozimin francez”, tha Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike.

Edhe nga VMRO-DPMNE pohojnë se Kovaçevski dhe Osmani fshehurazi 6 muaj rresht kanë negociuar me Bullgarinë dhe kanë dhënë aminin e tyre për propozimin francez ose siç thonë ata bullgarizimin e Maqedonisë.

“VMRO-DPMNE pohon se ky propozim është i keq për Maqedoninë dhe nuk bazohet në asnjë vlerë evropiane. Kovaçevski ka ende hapësirë për të ndryshuar mendje dhe për të refuzuar në mënyrë eksplicite propozimin e fundit, pa negociuar më tej. Ky propozim është i padrejtë ndaj Maqedonisë, e cila ka 22 vite që pret në dhomën e pritjes së Unionit, që nga nënshkrimi i aktit për stabilizim dhe asocim e deri më sot. Maqedonia ka nevojë për një perspektivë evropiane, e cila do të bazohet në respektin e ndërsjellë dhe jo në nënçmime”, pohoi Dragan Kovaçki, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Aleanca për Shqiptarët duan që ta shohin propozimin në formë të shkruar e pastaj të japin qëndrimin e tyre nëse e mbështesin ose jo propozimin francez, megjithatë lideri i kësaj partie, Ziadin Sela shtoi se nëse eventualisht propozimi brenda përmban që bullgarët të futen në preambulën e Kushtetutës ata do ta mbështesnin.

“Në përgjithësi thuhet se dreqi tek detajet. Për sa kohë unë propozim në letër nuk kam të shkruar, unë nuk mund të deklarohem sepse ndryshe do të dilte se ASh merret me gjëra që shkruhen në mjetet e informimit pa pasur një dokument të sajin që të ulet dhe ta analizoj bashkë me strukturat dhe bashkë me anëtarët e kryesisë qendrore të cilat i kemi”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Sela vlerëson se qasja e Qeverisë për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë ka qenë tërësisht i gabuar. Shton se Qeveria nuk mund të merr legjitimitet nga populli e pastaj të fshihet pas Komisionit për çështje historike dhe as nuk mund të pretendohet që çështjet bilaterale të zgjidhen nga shkencëtaret. Gjithashtu edhe Partia e Goran Milevskit, dje në Bordin ekzekutiv ka vendosur që nëse Qeveria pranon propozimin francez, ata do ta lëshojnë Qeverinë. Milevski njëkohësisht është edhe ministër i Vetëqeverisjes lokale në Qeverinë e Kovaçevskit.